Foto: Ilustrim

Kosova më Shumë Eksporton në Serbi se Shqipëri

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për muajin qershor flasin për një deficit më të lartë tregtarë në muajin qershor 2017 krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Diferenca në mes të importit dhe eksportit në muajin qershor ishte 217.5 milionë euro. Kjo do të thotë se 217 milionë euro kanë dal nga Kosova më shumë se sa që kanë hyrë nga shit-blerja e produkteve. Eksporti në muajin qershor e mbulon vetëm 14.9 për qind të importit.

“Eksporti i mallrave në muajin Qershor 2017 kishte vlerën 38,1 milionë euro, ndërsa importi 255,7 milion euro, është një rritje prej (25.9%) për eksport si dhe prej (3.4%) për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016”, thuhet në raportin e ASK-së

Produktet mineral dhe metalet bazë vazhdojnë të kontribuojnë në eksporte.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit: (28.1%) të eksporteve e përbëjnë produktet minerale, (25.9%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (7.9%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, (7.5%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (5.9%) produktet bimore, (3.1%) lëkurë dhe artikuj prej tyre, (2.0%) tekstil dhe artikuj prej tekstili etj:, thuhet në raport.

Ushqimet e përgatitura, pije dhe duhan janë baza kryesore e mallrave të importuara.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesor për import: (13.5%) të importit e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (13.0%) produktet minerale, (11.7%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (10.5%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (7.6%) mjetet e transportit, (7.5%) produkte të industrisë kimike, (7.0%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, (4.5%) produktet bimore etj”, thotë ASK-ja.

Eksportet dhe importet e Kosovës u rriten me vendet e Bashkimit Evropianë në krahasim me muajin e njëjtë të një vitit më parë.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BEsë-28 arritën vlerën e 11,5 milionë euro, ose rreth (30.2%) e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej (77.3%). Partneret kryesor për eksportin e mallrave në BE janë: Austria (11.3%), Gjermania (3.9%), Danimarka (2.9%), Holanda (2.8%), Bulgaria (2.4%)”, thotë raporti.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 109,4 milionë euro, ose (42.8%) e importeve të përgjithshme, me një rritje prej (3.8%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.8%), Greqia (6.0%), Italia (5.7%), Polonia (3.0%) etj.

Tregtia e jashtme e Kosovës me vendet e CEFTA-së rezulton të jetë e lidhur më shumë Serbinë dhe Shqipërinë e më pas Maqedoninë.

Në muajin Qershor 2017, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së ishin vetëm 18,9 milion €, ose (49.6%) të eksporteve të përgjithshme. Por, ASK-ja thotë se vlera e eksporteve me vendet e CEFTA-së shenojë një rritje prej 19.4%. Kosova, sipas ASK-së, më shumë eksporton në Serbi sesa në Shqipëri.

“Partner kryesor për eksport nga vendet e CEFTA-së janë: Serbia (19.5%), Shqipëria (13.2%), Maqedonia (11.1%), Mali i Zi (4.1%)”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave.

E importet nga vendet e CEFTA-së në muajin Qershor 2017, arritën në 71,6 milion euro, ose (28.0%) të importeve të përgjithshme, me një rritje prej (10.0%).

“Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (14.1%), Maqedonia (5.8%), Shqipëria (5.2%) dhe B&H (2.4%)”, thotë raporti i ASK-së.

Kosova shkëmben mallra e me vendet tjera të botë. Në muajin qershor sipas të dhënave të ASK-së thonë se eksportet arritën në 7.7 milionë euro ose 20.2 për qind me partnerë të rëndësishëm për eksporti Indin me 9.3 për qind, Zvicrën 5.4 për qind. Në anën tjetër importet kapën vlerën e 74.5 milionë euro ose 29.2 për qind me pjesëmarrje më të lartë nga Kina me 9.8 për qind dhe Turqia me 9.7 për qind.