Kosova Reagon Ndaj Kaosit në Shkup

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shprehu shqetësimin e tij për këto zhvillime të cilat tha se po i përcjellë “me vëmendje të shtuar”.

“Maqedonia është një shtet mik, që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës. I bëjmë thirrje faktorit politik që të ruajë paqen dhe stabilitetin. Është në interesin e të gjithë popujve në rajon që të ruhet stabiliteti dhe që krizat të zgjidhen me mjete politike”, tha Veseli.

Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një deklarate, tha se sjelljet e këtilla të dhunës dhe përplasjet kundër përfaqësuesve të zgjedhur në Maqedoni janë “të papranueshme dhe aspak nuk i shërbejnë demokracisë, paqes dhe stabilitetit në shtetin fqinj të Maqedonisë”.

“Në frymën e apelit të vendeve të BE-së dhe SHBA-së në Maqedoni, ne besojmë se të gjithë aktorët politikë do të tregojnë vullnet për të dialoguar për interesin e të gjithë qytetarëve pa dallim etnie dhe jo retorikë që përshkallëzon situatën e tensionuar”, tha MPJ.

“Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar dhe qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve në rrugë demokratike”, thuhet në deklaratë.

Ndërsa kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tha se “tolerimi i deritashëm i dhunës e shovenizmit të Gruevskit e ka sjellë këtë gjendje”.

“Këtu ndërkombëtarët nuk janë krejt të papërgjegjësi. Maqedonia është ndërtuar dhe ekziston përmbi pabarazinë dhe diskriminimin ndaj shqiptarëve. Qartazi kjo nuk e paqëson pjesën shovene të politikës maqedone, por e ushqen dhe rrit atë. Bashkëjetesa dhe paqja arrihet vetëm në kushte barazie e solidariteti. Këtë duhet ta kuptojmë të gjithë, në secilën situatë, karshi cilitdo popull”, tha Ymeri.

Ai uroi që deputetët që u raportuan se janë lënduar nga turmat që sulmuan Kuvendin, Ziadin Sela e Zoran Zaev, dhee të gjithë të lënduarit tjerë të shërohen sa më shpejt.

“Reagimi i Tiranës dhe Prishtinës duhet të jetë i shpejtë dhe i vendosur. Nuk bën në asnjë mënyrë të jemi indeferent e me dy mendje në kundërshtimin tonë ndaj instalimit të politikës shoveniste në një vend fqinj. Aq më tepër kur aty jetojnë shqiptarët. Aq më tepër kur ky shovenizëm është kundër shqiptarëve”, tha Ymeri.