Kosova pati Vonesa në Zbatimin e Marrëveshjes së Kadastrit

Në raportin e kryenegociatores kosovare Edita Tahiri të cilin ia ka paraqitur Bashkimit Evropian rreth gjendjes në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit shumica e marrëveshjeve nuk janë zbatuar, apo ka patur ngecje në zbatim  dhe fajin për këtë i atribuohet Serbisë.

Përjashtim këtu bënë marrëveshja për kadastrën. Në këtë pikë të raportit të ministres në largim Edita Tahiri, pranohet se ka patur vonesa në zbatimin e kësaj marrëveshje nga ana e Kosovës. Por, sipas raportit pas vitit 2016-të probleme në zbatimin e kësaj marrëveshje po parqet pala serbe.

“Marrëveshja për kadastrën është arritur në vitin 2011. Ka pasur vonesa serioze nga ana e Kosovës në miratimin e Ligjit për Agjencinë Teknike mbi krahasimin dhe verifikimin e dokumenteve kadastrale që do të kthehen në Kosovë, të cilat janë marrë dhunshëm nga Serbia gjatë luftës kundër Kosovës në vitet 1998-1999”, thuhet në raport.

“Sidoqoftë, që kur Kosova e miratoi këtë ligj, në qershor të vitit 2016, ka qenë Serbia ajo që e ka penguar implementimin duke mos kthyer ende në Kosovë dokumentet e skanuara dhe verifikuara të kadastrave të Kosovës”, përfundon pika e raportit për marrëveshjen e kadastrit e cila ishte arritur në vitin 2011.