Referendumi në Kataloni. Foto: Twitter

Kosova Nuk Përzihet në Punë të Spanjës

Qeveria e Kosovës nuk ka dashur ta komentojë referendumin e djeshëm të Katalonisë për shkëputje nga Spanja.

Miliona votues katalunas kanë dalë të dielën para kutive të votimit për t’u shprehur rreth vullnetit të tyre për pavarësi të këtij regjioni të Spanjës përderisa policia spanjolle ka intervenuar duke penguar referendumin e kontestuar nga Gjykata Kushtetuese në Madrid.

“Qeveria e Republikës nuk i komenton zhvillimet e brendshme të një shteti tjetër”, tha sot për KALLXO.com Halil Matoshi, drejtor i Zyrës për Informim të kryeministrit të Kosovës, një ditë pasi katalunasit votuan në referendumin për pavarësi të këtij regjioni.

Spanja është një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në qershor të vitit të kaluar, Presidenti Hashim Thaçi kishte hedhur poshtë krahasimet që i bëhen Kosovës me lëvizjen katalunase për pavarësi.

Në një intervistë për agjensinë spanjolle të lajmeve EFE, Thaçi kishte thënë se “Spanja nuk është Serbi dhe Katalonia nuk është Kosovë”.

Thaçi kishte thënë se “Spanja është shtet mik i Kosovës” duke sqaruar se “institucionet e Kosovës kanë marrëdhëniet të mira me institucionet e Spanjës në Madrid”.

“Spanja do ta marrë vendimin për të njohur pavarësinë e Kosovës. Shpresoj që kjo të ndodhë shpejt. E kam vizituar Madridin. Spanja ka njohur dokumentet me të cilat është shpallur pavarësia. Gjithashtu, edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata si UEFA e FIFA, është mirëpritur nga të gjithë. Spanja ka duartrokitur dhe përshëndetur paqen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel”, kishte thënë Thaçi.