Kosova në Zgjedhje

Rreth 1.9 milion kosovarë do të kenë të drejtë që të dalin sot para kutive të votimit për t’i zgjedhur kryetarët dhe përfaqësuesit e tyre në asambletë e 38 komunave të vendit.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, simbolikisht hapi votimet e sotme duke e hedhur fletëvotimin e para në qendrën e saj të votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë. Pasi votoi, Daka bëri thirrje për zgjedhje të qeta dhe demokratike.

“Sot është një ditë e bukur, ditë feste për Kosovën prandaj ftoj të gjithë votuesit ta shfrytëzonë të drejtën për tëvotuar”, tha ajo.

“KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhje të rregullta”, shtoi Daka.

Ditën e sotme do të hapen 899 qendra votimi me 2.505 vendvotime në tërë Kosovën.

Në këto zgjedhje garës i kanë hyrë 204 kandidatë për kryetarë të komunave, ndër të cilës vetëm 8 janë gra ndërsa 196 burra.

Në rast se asnjë nga ta nuk merr shumicën e 50 përqind plus 1 votë në votimet e sotme, gara mes dy më të votuarve do të shkojë në balotazh, pas katër javëve.

Në garën për asambleistë të komunave janë certifikuar 6,887 kandidatë nga të cilët 2,400 gra dhe 4,487 burra. Në mesin e tyre, 1,002 do t’i marrin ulëset e asambleistëve.