Konferenca për PISA 2018.

Kosova në Betejë Për ta Përmirësuar Rezultatin në PISA

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë një varg vërejtjesh për gjendjen aktuale në arsimin e vendit, gjatë një konferencë kushtuar testit të PISA-s që pritet të mbahet vitin e ardhshëm në Kosovë.

Ai tha se rezultatet e treguara nga nxënësit e Kosovës në testin e mbajtur dy vjet më parë janë “për çdo kritikë”, ndërsa ka kërkuar që të dihen shkaqet për këtë gjendje.

“Mësimdhënësit, seleksionimi i tyre, nuk janë marrë ata që e kanë pasur notën mesatare më të madhe, jo ata që e kanë meritu. Programet parashkollore janë jocilësore, nuk janë atraktive. Ka moskoordinim mes MASHT-it dhe komunave. Planprogramet për nivelin e arsimit të ulët dhe të mesëm janë eksperimentale mos të flasim për logjistikën e shkollave tona”, tha Haradinaj.

Ai tha se ka probleme me monitorimin e shkollave në të gjitha nivelet për të cilat tha se janë “pak të inspektuara”.

“Kemi numër të madh të orëve të humbura e kjo vetvetiu e çon një porosi të gabuar te fëmijët. Kemi telashe edhe në vlerësimin e fëmijëve. Është mirë me shfrytëzu këtë moment për me u përballë me të vërtetën”, tha Ramush Haradinaj.

Rezultatet e testit të parë të PISA-s për nxënësit e Kosovës e radhitën Kosovën në pesë vendet e fundsit të shteteve të testuara. Të dhënat treguan se 77 % e nxënësve 15 vjeçarë në Kosovë nuk dinë lexim.

http://kallxo.com/testi-pisa-77-e-nxenesve-15-vjec-sdine-lexim/

Gjendjen jo të mirë në arsim e pranoi edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.

“Ne jemi të vetëdijshëm që niveli i arsimit në Kosovë nuk është i mirë. Pjesëmarrja në PISA 2015 na ka mundësuar të shohim ku jemi krahas vendeve tjera. Kjo konferencë po mbahet për përgatitjen përfundimtare për futjen e Kosovës në PISA 2018”, tha ministri Bytyqi.

Ndërsa Besa Shahini, Zëvendës Ministre e Arsimit e Shqipërisë, kërkoi që të shikohen shembujt pozitivë të ngritjes së cilësisë në arsim.

“Të shkuarit në shkollë dhe të mësuarit kanë dallim. Te të mësuarit kam përshtypjen se nuk jemi shumë mirë. Si arrihet përmirësim cilësor? Pika kryesore që e ka bërë Finlanda është kur në mënyrë rigoroze  i ka përzgjedhur mësimdhënësit. Reforma në trajnimin e mësimdhënësve është qenësore”, tha Shahini.

Ndërsa ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, sugjeroi që nxënësve në Kosovë t’u ofrohen kushte për arsim profesional.

“Ne kemi përfituar shumë në Gjermani nga analizat e bëra nga testi PISA. Reformat nuk duhet të ndalen por duhet të vazhdojnë. Ne duhet t’i forcojmë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit. Nuk është shumë e lehtë, nuk mund ta shtypësh vetëm një buton dhe të bëhet mirë. Dëshiroj që të gjithë zyrtarët përgjegjës në arsim që ta bëjnë vizionin për arsim, realitet”, tha ambasadori Heldt.

http://kallxo.com/risite-e-pisa-2018-per-kosoven-nuk-ka-test-shkrim/