Kosova U21 | Foto: FFK

Kosova Mposht Norvegjinë

Përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll shënoi fitoren e parë në kualifikimet për Kampionatin Europian Italia dhe San Marino 2019 duke mposhtur Norvegjinë me rezultatin 3:2.

Të parët në epërsi kaluan norvegjezët në minutën e pestë, ndërsa në minutën e ’36 e dyfishuan atë pikërisht kur Kosova u hap dhe filloi të shfaqet e rrezikshme.

Por vetëm kaq mundën të bënin norvegjezët gjatë kësaj ndeshjeje, pasi Kosova arriti ta përmbysë rezultatin e pafavorshëm, duke triumfuar në fund.

Bytyqi ngushtoi epërsinë e Norvegjisë në 2:1 në minutën e 41-të, ndërsa rezultati u barazua nga Hasani dy minuta më vonë me një aksion model, në të cilin të gjithë lojtarët e përfshirë e prekën topin vetëm nga një herë, duke pasuar te njëri-tjetri deri te shënimi.

Në pjesën e dytë ekipet u shfaqën më të kujdeshme, ndërsa pikërisht kur Norvegjia po e kërkonte fitoren dhe lojtarët kosovarë dukeshin më të lodhur, Bytyqi në minutën e 87-të arriti të shënojë për 3:2.

Ky doli të jetë goli i fitores për Kosovën U21.

Kosova ishte mposhtur me rezultatin 5:0 në ndeshjen e parë me Norvegjinë, por ekipit skandinav i është marrë fitorja duke iu dhënë në tavolinë Kosovës, ngase Norvegjia kishte futur në lojë një futbollist që nuk kishte të drejtë të luajë.

Kosova në këto kualifikime ka humbur nga Irlanda 1:0, por mban pozitën e parë në grup me 6 pikë.