Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani - Foto: Facebook

Kosova Merr Kryesimin e CEFTA-s për Herë të Dytë

Republika e Kosovës nga sot ka marrë zyrtarisht kryesimin e Marrëveshjës për Tregti të Lirë me Europën Qendrore (CEFTA).

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani tha se Kosova do të luajë një rol konstruktiv gjatë kohës që do të udhëheqë me CEFTA-n.

“Si ministër i Qeverisë së Kosovës dhe kryesues i CEFTA-s ne do të angazhohemi maksimalisht për të kryer obligimet tona, për të realizuar objektivat tona dhe më e rëndësishmja gjatë këtij kryesimi do të fokusohemi në implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe të marrëveshjeve që do të arrijmë në të ardhmen”, theksoi ministri Hasani.

Ministri Hasani ka deklaruar se Kosova gjatë kryesimit të CEFTA-s do të ketë një qasje të bashkëpunimi duke mos neglizhuar asnjërën palë të përfshirë në këtë marrëveshje.

“Gjatë vitit 2018 qasja e Kosovës do të jetë proaktive dhe ne do të punojmë që të sjellim të gjitha palët në tavolinë dhe të marrim vendime që shkojnë në favor të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit në BE si qëllim primar i vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Hasani.

Në kuadër të objektivit strategjik të lartpërmendur, kryesuesi i CEFTA-s për vitin 2018 do të ketë shtatë prioritete.

Prioriteti i parë do të jetë lehtësimi i  tregtisë së lirë në mallra; prioriteti i dytë është harmonizimi i tregjeve të CEFTA-s me BE-në; prioriteti i tretë është krijimi i një rajoni të lirë nga barrierat jotarifore dhe zgjidhja e kontesteve tregtare; prioriteti i katërt do të jetë lehtësimi i tregtisë së lirë në shërbime; prioriteti i pestë është lehtësimi i lëvizjes së lirë të ekspertëve dhe profesionistëve dhe punëtore të kualifikuar; prioriteti i gjashti është  lëvizja e lirë e investimeve; ndërsa prioriteti i shtatë është forcimi institucional i Sekretariatit të CEFTA-s.

Ndërsa Myriam Ferran nga Komisioni Europian ka thënë se pret bashkëpunim konstruktiv me Kosovën.

Ajo ka thënë se ky është një test i madh për Kosovën dhe se duhet të fokusohen drejt një të ardhme të përbashkët në BE.

Ndërsa, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, ka thënë se kryesimi i CEFTA-s është një rast i mirë për Kosovën.

Ndryshe Kosova është bërë pjesë e CEFTA-s në vitin  2006.

Kjo është hera e dytë që Kosova merr kryesimin e CEFTA-s, kryesim i cili ndryshon çdo vit me rotacion.