Kosova Kërkon Ekstradimin e Izraelitit të Dyshuar në Aferën ‘Medicus’

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, konfirmoi sot se ka kërkuar nga autoritetet e Qipros ekstradimin e shtetasit izraelit Moshe Harel, i dyshuar në aferën e transplanteve të paligjshme të organeve në aferën ‘Medicus”.

Tahiri tha të shtunën se Harel, me veprat për të cilat dyshohet, i ka bërë dëm të madh imazhit të Kosovës në botë.

“Në zbatim të kompetencave të mia në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, kam kërkuar ekstradimin e shtetasit izraelit M.H., i cili kërkohet nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë, për vepra penale që lidhen me krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore”, shkroi Tahiri në Facebook.

Ministri nuk ka saktësuar përmes cilave kanale e ka bërë kërkesën, meqë përderisa Qipro nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës dhe dy shtetet nuk kanë të nënshkruar një marrëveshje për ekstradim.

“Do të bëj çfarëdo që është e mundur që ky person, i cili përveç veprave penale, ka bërë një dëm të madh ndaj imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, të sillet para organeve të drejtësisë për t’u përgjigjur për veprat e bëra”, shtoi ai.

“Jam i vendosur për luftë të pa kompromis kundër krimit të organizuar”, pavarësisht formave, natyrës dhe rrethanave në të cilat shfaqet dhe do të angazhohem çdo ditë që ky përkushtim të fuqizohet edhe më tej”, tha ai.

Harel akuzohet se ka kërkuar njerëz të cilët kanë nevojë për transplant të veshkave dhe ka joshur donatorë të tyre nga Kosova për Turqi dhe ish vendet e Bashkimit Sovjetik me premtimet për pagesë deri në 12 mijë euro.

Marrësit e veshkave, kryesisht izraelitë, kanë paguar mes 80 deri 100 mijë euro për këto organe, ndërsa disa dhurues të organeve nuk i kanë marrë paratë asnjëherë, raportoi ditë më parë Reuters.

Përderisa rasti i Moshe Harel është veçuar nga Gjykata n Prishtinë për shkak të arratisë së tij, në korrik të vitit të kaluar, në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur rigjykimi i pronarit të klinikës “Medicus”, Lutfi Dervishi, djalit të tij, Arban Dervishi dhe anesteziologut kryesor Sokol Hajdini, të tre të akuzuar për krim të organizuar në lidhje me trafikimin e njerëzve.

KALLXO.com e ka përcjellë vazhdimisht procesin gjyqësor në aferën ‘Medicus’. Dosjen e këtij procesi mund ta gjeni në këtë link.