Kosova ia Zë Frymën Ambientit

Derisa mbrojtja e ambientit është bërë brengë gjithëbotërore dhe interesimi për politikat e gjelbra dhe departamentet përkatëse universitare është në rritje, Kosova duket se vazhdon të mos nxitet dhe të mos krijojë hapësirë për këtë lëmi.

Edhe pse është një ndër vendet më të kontaminuara në rajon, nuk ka asnjë institut që merret ekskluzivisht më studimin e mjedisit ose departamente të tilla në kuadër të universiteteve. Asnjë prej privateve nuk ka program të veçantë për mjedisin.

Madje Objekti i departamentit të Biologjisë në Universitetit të Prishtinës, në kuadër të së cilit gjendet edhe programi i vetëm për Ekologji dhe Mbrojtje të Mjedisit, të jep përshtypjen e rrënojave të një ndërtese se braktisur me dekada. Mungesa e laboratorëve, aparatura e stërvjetruar dhe numri i vogël i studentëve, janë vetëm disa prej brengave të këtij departamenti.

Objekti i departamentit të Biologjisë në Universitetin e Prishtinës

 

Profesor Isa Elezaj, i cili ka më shumë se 30 vjet që ligjëron në këtë departament, thotë se departamenti për ekologjinë dhe mbrojtjen e mjedisit ka nisur qe tetë vjet në nivelin Baqelor si dhe Master.

“Në fillim kishim shumë të interesuar, më shumë se 200 studentë. Kemi qenë të detyruar madje të mbajmë provime pranuese për shkak të numrit të madh të të internuarve. Ndërsa tash kemi vetëm rreth 50 studentë të mbetur në drejtimin e Ekologjisë”, thotë Elezaj.

“Në fillim kishim shumë të interesuar, më shumë se 200 studentë, ndërsa tash kemi vetëm rreth 50 studentë të mbetur në drejtimin e Ekologjisë” Isa Elezaj

Problemi kryesor i kësaj dukurie, sipas profesor Elezajt, nuk është mosinteresimi për këtë drejtim por pamundësia e këtyre studenteve për t’u integruar në tregun e punës pasi të kenë mbaruar studimet.

“Prej këtij drejtimi kanë diplomuar më shumë se 250 studentë të cilët pasi kanë diplomuar nuk kanë mundur ta gjejnë veten në treg. Prandaj edhe ka rënë interesimi për këtë lëmi”, tha Elezaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ne këtë departament ofrohen lëndë të ndryshme siç janë ekologji e përgjithshme, klimatologji, ekologji e mjediseve të ndotura, ekologji Humane, hortikulturë, qasja ekologjike në planifikimin hapësinor e rreth 32 lënë të tjera, të lidhura me mjedisin.

“Nuk është se këtu mungon interesimi dhe vullneti për punë. Ne ua ofrojmë studenteve të gjithë dijen brenda mundësive tona. Mirëpo, mungon vetëdijesimi për rendësin e ekologjisë, mungojnë investimet, mungon tregu i punës”, thotë Elezaj.

“Natyrisht se do të duhej që lënda e edukatës ekologjike të futet ne programet e reja të mësimit të hershëm, mirëpo edhe në të gjitha departamentet tjera të arsimit të lartë”, shton ai.

Elezaj thotë se, në anën tjetër, ekipi i programi të ekologjisë është momentalisht duke punuar në rifreskime për të tërhequr më shumë studentë.

“Në vitin e parë ishim më shumë se 100 studentë, ndërsa tash nuk jemi as 30. Shumica e kanë parë që nuk ka gjë prej këtij drejtimi dhe e kanë lënë” Ylbel Haziri

Ylber Haziri, student i vitit të dytë të Ekologjisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit, thotë se i pëlqen shumë ky drejtim, por se ndjehet i pasigurt rreth së ardhmes së tij profesionale.

“Në vitin e parë ishim më shumë se 100 studentë, ndërsa tash nuk jemi as 30. Shumica e kanë parë që nuk ka gjë prej këtij drejtimi dhe e kanë lënë”, thotë ai.

“Unë edhe po të mund ta ndërroja këtë drejtim nuk do ta kisha bërë. Jam shumë i pasionuar pas këtij drejtimi dhe është një gjë shumë e mire te merresh me mbrojtje të ambientit. Kjo është e ardhmja e secilit vend dhe e botës”, shton ai.

Florim Bela, gjithashtu student i vitit të dytë, thotë se një problem është mosrespekti që kanë njerëzit në Kosovë për punën në këtë lëmi.

“Profesioni i jonë është mbrojtja e habitatit jetësor dhe natyrës, ndërsa në pozita ku nevojitet një ekolog hyn një ekonomist ose jurist, për shkak të lidhjeve. Ata nuk e kuptojnë impaktin e njeriut në natyrë dhe puna e tyre është veçse simbolike”, thotë Bela.

Në Kosovë, përveç programit në Departamentin e Biologjisë, nuk ka asnjë institut tjetër të Arsimit të Lartë që ofron studime mbi mjedisin.

AAB’ja, Kolegji Fama, Dardania, Iliria, e të gjitha institutet e tjera, janë pothuajse ekskluzivisht të fokusuara në studimet humane siç janë Shkencat Politike, Ekonomi dhe Financa, Juridik, dhe të tjera.

“Momentalisht tri projekte janë duke u zhvilluar në kampusin e AUK-ut: nxehja gjeotermike, nxehja solare e ujit dhe riciklimi” Ariana Kadriu

Universiteti Amerikan në Kosove (AUK), edhe pse nuk ka një drejtim se program të veçantë për studime te mjedisit, kanë Qendrën për Energji dhe Resurse Natyrore. Kjo qendër, sipas Ariana Kadriut këshilltare akademike në AUK, ka bërë disa projekte të cilat lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe shfrytëzimin efecient të energjisë.

“Kemi punuar në një projekt për efektëshmërinë e energjisë dhe kemi bërë hulumtim për përdorim të energjisë në shtëpi në gjashtë komuna të Kosovës. Kemi punuar një projekt që ka lidhje me energjinë e erës dhe kemi hulumtuar se sa ka Kosova kapacitete për prodhimin e energjisë me anë të erës”, thotë Kadriu, duke folur edhe për projektet me aktuale të kësaj qendre.

“Momentalisht tri projekte janë duke u zhvilluar në kampusin e AUK-ut e qe janë te lidhura me mjedisin. Nxehja gjeotermike, nxehja solare e ujit dhe riciklimi që është duke u bërë tash e katër vjet. Gjithashtu kemi mbajtur edhe konferenca në lidhje me transmisionin e energjisë dhe në lidhje me sektorin minerar në Kosove”, thotë Kadriu.

Por ky universitet formalisht jep vetëm lëndën Politika Ambentiale.

Koha e eko-qytetarisë

Shemsi Krasniqi, i cili është ligjërues i Ekologjisë Sociale në Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik në UP, thotë se mosinteresimi në ekologji vjen jo vetëm nga studentet por edhe nga shoqëria e gjerë.

Shemsi Krasniqi, Departamenti i Sociologjisë

 

“Edhe në pamje të parë mjedisi është i ndotur dhe i vrazhdë. Prej kësaj pamje pikë së pari reflektohet edhe kultura qytetare. Por pamja vizuale, sa do që duket keq është ‘lule e beg’, siç thonë në popull, po të krahasohet me nivelin e kontaminimit të asaj që nuk e shohim”, thotë Krasniqi.

“Kosova është e kontaminuar në aspektin e ajrit dhe tokës. Prandaj i ka ardhur koha ‘eko-qytetarisë’ dhe sensibilizimit më të madh rreth ambientit. Mjedisi duhet të bëhet pjesë e kulturës dhe politikes, e më me rendësi është që të bëhet edhe pjesë e ligjit”, thotë profesor Krasniqi

Ai thotë se ligji duhet të rregullojë edhe gjërat më të detajuara si për shembull se si duhet të sillemi me një kafshë.

“Për fat të keq edhe kjo është pjesë e realitetit tonë të politizuar. Jeta e politizuar reflektohet edhe në sistemin arsimor. Shkenca politike ka gjithkund, por nuk ka studime zhvillimore apo zhvillim të qëndrueshëm. Zhvillimet politike e kanë eklipsuar mendjen e shoqërisë, ndërsa që vetë politikanët nuk tregojnë asnjë prirje ekologjike. Ata bëjnë shpenzime të panevojshme, nuk ecin në këmbë kurrë, janë konsumuesit më të mëdhenj dhe kjo reflekton edhe në politikë, ku ata nuk tregojnë mëshirë për natyrën”, thotë Krasniqi.

Krasniqi shprehet shumë kritik rreth asaj se si shihet ambienti sot për sot në vendin tonë.

“Më parë njerëzve u dhimbte për një lis po ta prisnin, tani presin me hektarë dhe nuk kanë kurrfarë ndjenje. Nuk ekziston më ajo lidhja me natyrën që ekzistonte më parë, por jetojmë me një botë të egër të konsumit”, thotë Krasniqi

“Më parë njerëzve u dhimbte për një lis po ta prisnin, tani presin me hektarë dhe nuk kanë kurrfarë ndjenje” Shemsi Krasniqi

Ai shton se tregu duhet të hapet për studentët e ekologjisë dhe shkencave të mjedisit.

“Këta studentë do të mund të ishin inspektorë të ushqimit, inspektorë të ujit, të bujqësisë, të pylltarisë e shumë të tjera. Kjo është një nevojë jetike për secilin vend. Çështjet mjedisore prej aspektit kulturor, janë vitale për individin dhe shoqërinë”, thotë Krasniqi.