Përfaqësuesja e Kosovës në futboll - Foto: Facebook

Kosova e Mbyll me Humbje Garën për Botërorin ‘Rusia 2018’

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka përmbyllur me humbje garën në kualifikimet për kampionatin botëror “Rusia 2018”.

Kosova është mposhtur 2 me 0 si mysafire e Islandës.

Golat për kombëtaren nikoqire i shënuan Gylfi Sigurdsson në minutën ’40 dhe Johann Berg Gudmundsson në minutën ’68.

Për djemtë e drejtuar nga përzgjedhësi Albert Bunjaki kjo ishte humbja e nëntë radhazi nga 10 ndeshjet e zhvilluara në kuadër të Grupit I për kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018”.

Kështu, me një pikë të vetme përfaqësuesja e Kosovës e përfundon e fundit në tabelë pjesëmarrjen e parë në garat ndërkombëtare.

Ndeshja e sontme ishte e fundit për Albert Bunjakin si selektor i kombëtares së Kosovës.

Humbje në xhiron e fundit ka pësuar edhe kombëtarja e Shqipërisë.

Shqipëria humbi 1-0 nga Italia që ishte mysafire në “Loro Boriçi”.

Golin e vetëm për italianët e shënoi Antonio Candreva në minutën ’73.

Me 13 pikë të grumbulluara, Shqipëria përfundon e 3-ta në Grupin G të kualifikimeve për Botërorin “Rusia 2018”.