Kosova dhe Shqipëria Nënshkruajnë 11 Marrëveshje

Në mbledhjen e dytë zyrtare të qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë, mbajtur sot në Tiranë, palët nënshkruan 11 marrëveshje, memorandume bashkëpunimi dhe protokolle, me theks në sektorët e sigurisë, bujqësisë, tregtisë, financave, arsimit dhe kulturës. Dy qeveritë u angazhuan për zhvillim të mëtejshëm dhe konkret të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, por nuk njoftuan mbi progresin e marrëveshjeve të arritura më parë.

Delegacioni i Kosovës u prit me nderime në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku u mbajt edhe takimi i dytë zyrtar ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Aktiviteti çelës u karakterizua nga deklarata frymëzuese të zyrtarëve të lartë. Fryma festive e këtij aktiviteti u kurorëzua me shprehjen e synimit të përbashkët drejt integrimit europian në ceremoninë zyrtare që zgjati rreth 10 minuta. Ndërkaq titulli i takimit, përzgjedhur nga qeveria e Shqipërisë ishte “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr”, çka jehon tone nacionaliste, përkundër aspiratave të mëvetshme të secilës qeveri për anëtarësim në BE.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministi Rama ka marrë një qasje mbrojtëse ndaj Kosovës duke kritikuar regjimin aktual të vizave ndaj BE. “Mos heqja e vizave për Kosovën është një paradoks i madh krahasuar me të shkuarën. Regjimi i sotëm i vizave e ka kthyer në një enklavë dëshpëruese. Mbajtja e Kosovës nën regjimin e vizave është një trup për BE”, theksoi Rama. Deklarata e Kryeministrit vjen në një kohë kur dhjetëra mijë kosovarë tentojnë arratisjen drejt Bashkimit Europian.

Sipas Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, vetëm në fillim të vitit 2015, rreth 50 mijë shtetas të Kosovës lanë vendin drejt Bashkimit Europian. Vetë Shqipëria është përballur me kritika nga zyrtarë të Brukselit dhe përfaqësues të vendeve të BE-së mbi numrin e lartë të azilkërkuesve nga ky vend, çka në më shumë se një rast është konsideruar nga BE por dhe nga vetë qeveria shqiptare si një situatë që mund të përbëjë probleme mbi statusin pa viza të Shqipërisë brenda zonës Shengen.

Rama theksoi edhe mbështetjen e Shqipërisë ndaj Kosovës, duke cekur në veçanti shqiptarët e Preshevës dhe angazhimin e qeverisë së Shqipërisë për mbrojtjen e interesave të tyre. Kjo qasje është në të njëjtën linjë e deklaratave të Edi Ramës në nëntor 2014, kohë kur ai kreu një vizitë të karakterizuar me përplasje deklaratash mes tij dhe Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiq. Kryeministri i Shqipërisë vlerësoi se në një vit, axhendat e dy qeverive janë bashkuar.

Ndryshe nga fjala me karakter më së shumti politik e homologut të tij, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka e vënë theksin tek bashkëpunimi ekonomik dhe projektet e përbashkëta. “Marrëdhëniet ekonomike kanë mbetur më mbrapa se në fushat e tjera. Qeveritë tona duhet të heqin të gjitha barrierat që bashkëpunimi ekonomik të jetë sa më rezultativ”, theksoi Mustafa, duke njoftuar se agjencitë e mallrave dhe shërbimeve të dy vendeve janë në proces unifikimi.

Mustafa e konsideroi takimin mes dy qeverive shqiptare si një model të bashkëpunimit rajonal. Ai përmendi integrimin europian si stacionit e fundit të rrugëtimit të të dy vendeve, duke u zotuar se do të përmbushej çdo kusht të nevojshëm për të përmbushur aspiratën e vendit që përfaqëson. Pas deklaratave zyrtare, mbledhja e qeverive vazhdoi pa praninë e medieve, ndërsa në mesditë të dy kryeministrat dhe ministra nga të dy qeveritë nënshkruan zyrtarisht dokumentet e parashikuara. Megjithatë, zbatimi i marrëvesjeve dypalëshe të nënshkruara ndërkaq mbetet i paqartë.

Dokumentet e nënshkruara:

1. Për Bashkëpunim të “Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë”.

2. Memorandum mbi “Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm”.

3. Protokoll mbi “Shfrytëzimin e Përbashkët të Pajisjeve për Kontrollin e Kufirit”.

4. Protokoll “Për Ndjekjen e Menjëhershme Ndërkufitare”.

5. Memorandum i Mirëkuptimit “Për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”.

6. Marrëveshje e Bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.

7. Marrëveshje e “Bashkëpunimit në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”.

8. Marrëveshje për “Bashkërendim Institucional për Përparimin dhe Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar”.

9. Protokoll “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë”.

10. Memorandum “Mbi bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.

11. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës.