Kosova dhe Maqedonia ‘Pensionojnë’ Pasaportat

Kosova dhe Maqedonia kanë nënshkruar sot marrëveshje për kalimin e kufirit me letërnjoftim dhe për hapjen e një vendkalimi të ri kufitar në Bellanoc – Stançiq.

Kjo marrëveshje u nënshkrua mes dy ministrave të jashtëm të Kosovës dhe Maqedonisë Hashim Thaçit dhe Nikola Poposki.

Kjo marrëveshje u cilësia nga ministri Hashim Thaçi si marrëveshje e standardit evropian.

“Sot është një moment i ri për popujt tanë. Nënshkruam marrëveshjen e rëndësishme për  qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë.  Njëra për  kalimin e kufirit me letërnjoftim tjetrin për hapjen e një vendkalimi kufitar në Bellanoc – Stançiq që e ofron Karadakun me Maqedoninë. Ne do të punojmë për implementimin e  shpejtë të këtyre marrëveshjeve”, tha Thaçi.

Sipas tij, ky bashkëpunim i shkëlqyer i dy vendeve i kontribuon paqes dhe stabilitetit në tërësi në rajon.

Thaçi është shprehur mirënjohës në mbështetjen parimore që Maqedonia i ka dhënë Kosovës në votimin në UNESCO, ndërsa ka treguar se janë duke punuar edhe në rrafshin e infrastrukturës.

“Ne do të vazhdojmë si Kosovë për të përmbyllë me sukses dhe në afat të rregullt ndërtimin e autostradës që e lidh edhe më mirë edhe më shpejt Prishtinën edhe Shkupin apo Kosovën dhe Maqedoninë, në mënyrë që njerëzit tonë tash edhe pas këtyre marrëveshjeve të lëvizin lirshëm me letërnjoftim në shumë pika të hapura”, u shpreh Thaçi.

Ndërkaq ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Poposki, tha se kanë pasur një dialog me shumë tema të rëndësishme  për qytetarët e dy vendeve.

Ai tha se kanë edhe një numër të madh të temave në ekonomi, arsim, shkencë, kulturë, siguri, infrastrukturë.

Poposki tha se interesi strategjik i tyre është me pas fqinjësi stabile dhe me prosperitet me Republikën e Kosovës dhe në këtë drejtim sipas tij edhe i nënshkruan këto dy marrëveshje.

“Në frymën e këtij bashkëpunimi biseduam edhe për projektet e përbashkëta infrastrukturore dhe mundësinë që të marrim mbështetje për projekte të tilla infrastrukturore edhe nga Bashkimi Evropian  dhe institucionet ndërkombëtare financiare”, theksoi Poposki.

Implementimi i këtyre marrëveshjeve sipas dy ministrave do të ndodh shumë shpejt.