'Stock photo' nga Pixabay

Kosova Avancon në Fushën e Lehtësirave të të Bërit Biznes

Republika e Kosovës është renditur në vendin e 40-të në listën e 190 vendeve sa i përket lehtësisë së të bërit biznes.

Kjo shënon një rritje prej 20 vendeve nga ku ka qenë vitin e kaluar sipas raportit të ‘Të bërit Biznes 2018’.

Në raportin e publikuar nga Banka Botërore konstatohet se Kosova ka pasur një progres të madh në fusha të ndryshme të të bërit biznes.

Marco Mantovelli, menaxher i Grupit të Bankës Botërore për Kosovën vlerësoi lartë reformat e deritanishme në fushën e biznesit duke theksuar se ato duhet të vazhdojnë.

“Ky është një lajm i mirëseardhur për ekonominë e Kosovës. Megjithatë, nëse këto reforma nuk zbatohen si duhet dhe në mënyrë konsistente në praktikë, do të jetë e vështirë për Kosovën që të arrijë ndikimin e dëshiruar për rritjen e produktivitetit të firmave dhe për tërheqjen e më shumë investimeve”, tha Mantovelli.

Sipas raportit, Kosova radhitet e 10-ta në regjistrimin e një biznesi, e 12-ta në marrjen e kredisë, e 48-ta në tregtinë ndërkufitare, e 122 në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 89-ta në mbrojtjen e investitorëve me pjesëmarrje të vogël, e 106-ta në furnizimin me energji elektrike, e 49-ta në zbatimin e kontratave, e 45-ta në pagesën e tatimeve, e 34-ta në regjistrimin e pronës, dhe e 49-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.

Nëntë ekonomitë e tjera që kanë treguar përmirësimet më të mëdha në të bërit biznes 2018 janë Brunei, Darussalam, Tajlanda, Malavi, India, Uzbekistani, Zambia, Nigeria, Xhibuti dhe El Salvadori.

Rajonet me përqindjen më të madhe të ekonomive reformuese në Të Bërit Biznes 2018 janë Evropa dhe Azia Qendrore, Azia Jugore dhe Afrika Sub-Sahariane.