Projekti për termocentralin "Kosova e Re" – Foto: Ministria e Zhvillimit Ekonomik

KOSID: ‘Kosova e Re’ e Bllokon Kosovën për 40 Vitet e Ardhshme

Konzorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) përmes një reagimi ka thënë se marrëveshja e arritur sot në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Contour Global do të bllokoj Kosovën për 40 vitet e ardhshme në prodhimin e energjisë me bazë linjitin.

“I vetmi përfitim nga ky projekt do të jetë tymi dhe pluhuri i prodhuar si dhe degradimi i ambientit dhe shëndetit publik”, thuhet në reagimin e KOSID-it.

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) në vazhdimësi ka kundërshtuar ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ për shkak se sipas tyre ky projekt nuk do të sigurojë pavarësi të furnizimit energjetik dhe do të minoj rrugëtimin e vendit drejt proceseve integruese.

“Zgjidhja e problemeve në sektorin energjetik do të bëhej vetëm me adresimin e problemeve sipas prioriteteve, si, humbjet teknike dhe komerciale, masat e efiçiencës, diversifikimi i burimeve energjetike dhe funskionalizimin e tregut të liberalizuar”, janë shprehur KOSID.

Në reagimin e KOSID-it thuhet se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje e futë Kosovën në marrëdhënie kontraktuale që në rast dështimi Kosova do të dëmtohet edhe financiarisht.

“Me këtë rast, duam të njoftojmë opinionin publik që me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale, nuk përfundon procedura për fillimin e ndërtimit të termocentralit, por vetëm thellohet problemi dhe e bënë procesin edhe më kompleks”, përfundon reagimi i KOSID.

KOSID i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të bëj publike marrëveshjen komerciale të nënshkruar për termocentralin ‘Kosova e Re’. Më saktësisht kanë kërkuar që të bëhen të qarta detajet mbi atë se sa do të jetë çmimi i energjisë së prodhuar nga ky termocentral, a ka marrëveshje për blerjen e energjisë nga ky termocentral, sa është periudha e kthimit të investimit dhe se kujt do t’i faturohet kjo barrë, a do të sponzorizohet ky projekt nga buxheti i Kosovës dhe çfarë obligimi ka Kosova pas marrëveshjes, në rast se dështon kjo marrëveshje.