KOSID dhe FIQ: Zhvendosja e Detyruar Varfëroi Banorët e Obiliqit
Projekti i Qeverisë së Kosovës për zhvendosjen e detyruar të popullsisë nga fshatra të Obiliqit me qëllim të shfrytëzimit të linjitit për prodhim energjie elektrike dhe ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” në vend se të krijojë vende të reja pune ka krijuar varfëri për popullsinë e Obiliqit. Kështu u tha sot në konferencën e KOSID-it dhe FIQ-it, ku u fol për të zhvendosurit nga afërsia e mihjeve sipërfaqësore.
Mungesa e përfaqësuesit të Bankës Botërore në këtë konferencë është kritikuar nga organizatorët.
Banka Botërore tha për Gazetën Jeta në Kosovë në janar se tenderimi për termocentralin është kryer sipas ligjeve të vendit, e jo ashtu si thonë qeveritarët kosovarë.
“Banka Botërore sot nuk ka gjetur kohë për t’u ballafaquar me komunitetin për shqetësimet e këtij projekti, pra për zhvendosjen e detyruar që ka ndodhur” u shpreh Visar Azemi nga KOSID-i, duke folur për popullatën që u desh të largohet nga fshatrat e Obiliqit për t’i bërë vend shfrytëzimit të linjitit.
KOSID-i në vitin 2012 kishte kontraktuar Dr. Tedd Downingun për ta hulumtuar projektin e zhvendosjes dhe risistemimit, projekt i cili kishte për qëllim ta vërtetojë nëse janë respektuar standardet ndërkombëtare.
“Shpeshherë në projekte të tilla thuhet që zbatohen standardet ndërkombëtare, e për ta vërtetuar këtë KOSID-i kontraktoi Dr. Tedd Downing- un për ta vërtetuar se a janë respektuar standardet ndërkombëtare,” tregoi Dajana Berisha, përfaqësuese e FIQ-it
Ajo duke vazhduar më tutje, kritikoi këtë projekt duke thënë se në vend që të sjell zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune, ai ka sjellë varfëri te banorët e kësaj ane.
“Një projekt i tillë madhor synon të krijojë vende pune, një projekt i tillë supozohet të krijojë zhvillim, në të vërtetë ajo që ka ndodhur është ngritur niveli i varfërisë,” konstatoi Berisha.
Prezantimin e punës së Dr. Tedd Downing-ut e bënë përfaqësuesi i FIQ-it Meivis Struga dhe përfaqësuesja e INDEP-it Rinora Gojani.
Ata thanë se hulumtimi ka konsideruar se shumë nga rregullat ndërkombëtare janë shkelur dhe duke e konsideruar projektin si të dështuar. Dr. Tedd Downing ka arritur në përfundim se nuk janë respektuar dispozitat e standardeve ndërkombëtare për përfitimet e banorëve, në metodën e zhvendosjes së tyre dhe në shumë raste tjera.
Në konferencë ishte prezent edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi. Ai pranoi se të gjitha problemet e përmendura nga raporti i hartuar nga Dr. Tedd Downing janë prezente në komunën që drejton dhe se duhet një punë e madhe për t’i zgjidhur ato.
“Komuna e Obiliqit ka shumë probleme, mund të them se në fshatrat Hade, Shipitullë dhe Sibovc nuk është investuar fare si nga niveli i institucioneve qendrore ashtu edhe nga niveli i institucioneve komunale,” tha Gashi
Konferenca është përmbyllur me një diskutim në të cilin kishin mundësinë të inkuadrohen të gjithë pjesëmarrësit.
Fatih Sylka