Tom Hamilton, profesor nga Skocia. Foto: Kallxo.com

'Korrupsioni Vulgar’ në Universitetin e Prishtinës

Dy profesorë skocezë të angazhuar në përpilimin e këtij raporti kanë prezantuar të gjeturat e tyre për emisionin ‘Jeta në Kosovë’.

Ian Smith dhe Tom Hamilton përballlë Jeta Xharrës renditën rekomandimet e tyre për reforma në UP që sipas tyre janë të domosdoshme për ngritje të cilësisë.

Në mesin e mbi 20 rekomandimeve janë përfshirë edhe të gjeturat që këtë profesorë i kanë mbledhur në biseda me studentë për korrupsion me stafin akademik në nivelet e ryshfetit nga studentët.

Profesori Tom Hamilton tha se sjelljet e tilla duhet të përfshihen në kodin e etikës brenda UP-së dhe të zbatohet nga një komision i drejtë dhe transparent etik.

“Një prej gjërave që kemi biseduar me studentët, njëra prej gjërave që ata kanë thënë. Ata ishin të vetëdijshëm për një, siç e quajmë ne, korrupsion vulgar. Kishte mundësi për një korrupsion vulgar. Ky ishte termi që u përdor nga një rektor Universiteti në shtetin tonë… se stafi kërkonte mundësi për ryshfet, studentët ofronin ryshfet, blerja e teksteve që u përmendën, blerja e shënimeve të provimeve për t’iu nënshtruar provimit përsëri, ne me të vërtetë mundohemi t’i shmangemi kësaj. Kjo duhet të jetë në kodin e etikës”, vlerësoi Hamilton.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’, këtë javë i kushtohet prezantimit të të gjeturave të këtij raporti të Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian për Universitetin e Prishtinës ku do të flitet edhe për pagat e larta të stafit të këtij universiteti dhe pagat që politikanët marrin për të ligjëruar në UP.

Disa prej rekomandimeve ndërlidhen edhe me të gjeturat e emisionit dhe ‘Gazetës Jeta në Kosovë’, mbi mungesën e integritetit akademik të disa profesorëve dhe vetë rektorit të Universitetit të Prishtinës Marjan Dema.

Deklaratën e profesorit Hamilton mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: