Korrupsion në 'Zemër' të BE-së

Elita kryesuese në Azerbajxhan ka shfrytëzuar një fond të fshehtë në vlerë prej 2.8 miliardë dollarë për të paguar politikanët europianë, dëshmon hulumtimi i bërë nga disa media.

Përveç kësaj, paratë janë shfrytëzuar edhe për blerje luksoze dhe për blerje të heshtjes, u theksua në faqen në internet të Projektit për Hulumtimin e Kriminalitetit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Projekti nga gazetarët u emërua “Azerbajxhan Llaundromat”.

Gazetarët theksojnë se paratë e fondit nga viti 2012 deri në vitin 2014 janë shfrytëzuar për të paguar politikanët, me qëllim që ata të shprehin qëndrime pozitive për Qeverinë e Azerbajxhanit.

Paratë shkuan edhe në llogaritë e lobistëve, gazetarëve dhe biznesmenëve.

Siç u qartësua më tutje, paratë u përdorën për të blerë heshtjen dhe se të gjitha pagesat janë bërë në kohën kur Qeveria e Azerbajxhanit shpesh akuzohej për korrupsion, manipulim të zgjedhjeve, arrestim të politikanëve të opozitës, aktivistëve për të drejta të njeriut dhe të gazetarëve.

Sipas hulumtimit, pagesat kanë ndikuar edhe në votimin në Këshillin e Europës për raportin për shkeljen e të drejtave të njeriut në Azerbajxhan në vitin 2013.

Në tekst më tutje theksohet se nuk dihet prejardhja e parave, por se ekzistojnë disa dëshmi të cilat flasin për atë se ka pasur lidhje mes fondit të fshehtë dhe familjes së presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Alijev.

Në hulumtim kanë qenë të përfshirë gazetarët e disa gazetave europiane, përfshirë këtu gazetën britanike “The Guardian”, atë gjermane “Süddeutsche Zeitung”, atë ruse “Novaja Gazeta” dhe gazetën sllovene “Delo”.

Sipas hulumtimit, në mesin e atyre që kanë pranuar para kanë qenë së paku tre politikanë europianë, një gazetar që ka shkruar tekste pozitive për Qeverinë e Azerbajxhanit dhe një biznesmen, i cili gjithashtu ka lavdëruar të njëjtën qeveri. /21Media