Korab Sejdiu (Deputet). Foto: Atdhe Mulla

Korab Sejdiu Kërkon Videoincizim të Betimit të Gjyqtarëve

Në fjalën e tij në Kuvend, deputeti Korab Sejdiu ftoi deputetët që t’i bashkohen kërkesës së tij për të parë videoincizimin e betimit të djeshëm të gjyqtarëve e prokurorëve që do të punojnë në veri.

Sejdiu shprehu dyshimin se këta gjyqtarë e prokurorë nuk janë betuar fare dje.

Sejdiu më tutje tha se është shumë e rëndësishme që të sqarohet çështja e betimit, pasi deklaroi se mjaft koncesione janë bërë për këta gjyqtarë e prokurorë.

Deputeti i pavarur përmendi edhe një dokument që dje u përmend edhe në Komisionin për Legjislacion e që lidhet me marrëveshjen për drejtësinë, sipas të cilit do të njihen aktgjykimet e gjykatave paralele.

“Është çështja e një dokumenti shtojcë për çështjen e drejtësisë ku dokument është mbajtur i fshehur”, tha Sejdiu.

KALLXO.com shkroi dje për betimin dhe dekretimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa njëri prej tyre deklaroi se e cilëson këtë ditë krejt të zakonshme.

http://kallxo.com/gjyqtari-dekretuar-nuk-ndihem-se-po-nisi-dicka-te-re/

Edhe Glauk Konjufca foli për dokumentin që e përmendi Sejdiu.

Konjufca tha se dokumenti është dokument zyrtar i shtetit të Kosovës, por është mbajtur fshehur.

“Këtu me marrëveshjen për drejtësi që ju ni pjesë e keni mshef, thuhet që bëhen të vlefshme aktgjykimet e Serbisë. Ju këtë e keni majtë të fshehtë, e para se bohen të vlefshme këto aktgjykime, por edhe pse janë emrat në të që janë caktu prej Vuçiqit, jo me konkurse publike po me negocuata politike”, tha Konjufca.

Dje KALLXO.com shkroi për atë që ndodhi në Komisionin për Legjislacion.