Foto: Wikimedia Commons

Kopjim i Dobët në Universitetin e Prishtinës

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar tekstet e dy punimeve me titull të njëjtë “Privatization Process in Kosovo” (Procesi i Privatizimit në Kosovë) të cilat janë botuar në vite të ndryshme në revista të ndryshme.

Sipas hulumtimit, rezulton se dy persona, një prej të cilëve pedagoge me gradë të lartë akademike në Universitetin e Prishtinës, kanë kopjuar pjesë të tëra nga punimi i një studenti kosovar të doktoraturës në Çeki, i cili për më tepër thotë se i vjen keq që është kopjuar një punimi i tij që nuk është i nivelit të lartë.

Punimi me autor inxhinierin e financave Florin Aliu është botuar në revistën Iliria International Review në vitin 2014, ndërkaq një vit më vonë, në vitin 2015, në revistën Reforma, punimi me titull të njëjtë botohet nga prof. asoc. Dr. Drita Kongjeli si autore e parë dhe dhe Gëzim Jusufi si autor i dytë.

Pas një analizimi, del se teksti ku profesorja universitare është autore e parë përmban pjesë të tëra të kopjuara fjalë për fjalë nga teksti i ish-studentit të saj Florin Aliu, i cili është në studime doktorate për financë në Republikën Çeke.

Kopjimi i identifikuar nga punimi i Florin Aliut del të jetë në abstrakt të punimit, në kapitujt 1 dhe 3, si dhe në konkluzionet e punimit.

“Privatization is the most painful process in economy where beside legal establishment and political will, it includes also the aspect of fairness and honesty”, është një nga fjalitë hyrëse e kopjuar fjalë për fjalë pa iu vënë asnjë lloj reference nga punimi i inxhinierit të financave Aliu.

Jo vetëm fjali janë kopjuar nga punimi i Aliut. Edhe paragrafë të tjerë si ai në kapitullin që flet për sistemin jugosllav janë kopjuar në tërësi në këtë punim të profesores universitare ndërkohë që u janë vënë referenca jo si citime të Aliut prej nga është kopjuar paragrafi, por nga literatura e fushës e cila flet për çështje të ngjashme.

“Factors that made Yugoslavia in the direction of experiencing growth were also the decentralization choice, process that redistributed profits among workers. Yugoslav enterprises were making analysis according and in change of market streams, using data that were provided by national institutes and National Bank of Yugoslavia in arrange to anticipate production for next year 496 There are different types of instruments that Yugoslav government was using in reaching her purpose for the economic growth such as: fiscal instruments, credit instruments, foreign trade instruments and price instruments et cetera. Salaries were totally determined via enterprises, according to the performance and productivity of the employees, there were instruction from the government in which cases the salaries cannot be augmented and these were cases of monopolies are any comparative advantage that was created from SOE-s in the market. 497”

Në paragrafin e nxjerrë më lart, fusnotat 496 dhe 497 i referohen librit National Economic Planing mirëpo teksti është marrë tërësisht nga punimi i Aliut pa e përmendur atë.

Një paragraf tutje vihet referenca në punimin e Aliut mirëpo pa vënë thonjëzat si shenjë e citimit fjalë për fjalë. Diçka e tillë ngre dyshime mbi njohuritë e autorëve mbi përdorimin e referencave dhe sistemeve të citimit, edhe pse bëhet fjalë për profesore universitare në nivelin e parafundit akademik profesorial.

Megjithatë, përdorimi i referencave në disa vende qoftë edhe në mënyrë të gabuar (duke mos përdorur thonjëzat) e në pjesë të tjera jo, ngre dyshime të bazuara se bëhet fjalë për rast klasik të plagjiaturës.

Ç’është plagjiatura?

“Praktika e marrjes së punës apo ideve të dikujt dhe paraqitja e tyre si punë apo ide e dikujt tjetër”, konsiderohet plagjiatura nga fjalori online i Oxfordit.

Po ashtu, në fjalorin e gjuhës shqipe ka një përcaktim më të detajuar të plagjiaturës: “Paraqitja nga dikush e një vepre të një tjetri ose e një pjese të saj sikur të ishte e vetja; vjedhje letrare, muzikore etj. që bëhet duke marrë pjesë nga vepra e dikujt tjetër pa treguar burimin; vepra a pjesa e vjedhur nga një tjetër në këtë mënyrë.”

Në botën universitare dhe në përgjithësi atë akademike ky është një problem, mirëpo jo i këtij niveli si në rastin e Kosovës. Kopjime të tilla ku autori i kopjuar madje përdoret edhe si referencë në tekstin e kopjuar, gjë e cila e bënë më të lehtë zbulimin e plagjiaturës vënë në dyshim edhe aftësitë bazike të shkrimit të autorit të akuzuar për plagjiat në këtë rast Dr. Kongjelit.

Inxhinieri i financave Florin Aliu ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë paragrafët e kopjuar nga punimi i tij. “Po i pashë pjesët dhe konfirmoj që ato janë të kopjuara nga punimi im”, tha Aliu duke shtuar se “është e qartë gjithçka, pasi punimi im është i publikuar një vit më herët”.

Lidhur me mundësinë që autorët të kenë gabuar Aliu nuk beson të jetë e mundur. “Janë kopjuar disa pjesë dhe nuk më kanë vënë referencë e diku po, nuk ka mundësi që diku e kanë ditur e diku tjetër jo”.

Megjithatë Aliu është shprehur i habitur pasi punimi i tij megjithëse është korrekt për sa i përket përmbajtjes së informacioneve ai nuk e konsideron të jetë një material i atij niveli sa dikush të ketë dëshirë ta kopjojë. “Me ju thënë të drejtën, ai punim është OK, por nuk mendoj se është ndonjëfar krenarie e veçantë, është një punim i thjeshtë i një studenti të doktoraturës”, tha Aliu dhe shtoi “nuk e di si kanë mbërritur te përfundimi që duhet të kopjojnë nga një punim i atij niveli”.

“Më befason edhe kopjimi i një pjese të konkluzionit. Kjo tregon se nuk kanë menduar fare për të nxjerrë vet ndonjë përfundim dhe kjo më shqetëson edhe më shumë”, është shprehur Aliu.

Dr. Kongjeli ka qenë e paarritshme. Nga zyra e saj është thënë se me të nuk mund të kontaktohet me telefon por vetëm me email, ndërkohë që Dr. Kongjeli nuk i është përgjigjur as emailit. Ndërsa autori tjetër Jusufi rezultoi i pamundur të kontaktohej.

Në UP Mungojnë rregulloret për ndëshkim të plagjiatëve

Lidhur me këtë dukuri kohë më parë, prof. Myzafere Limani nga Komisioni i Etikës në UP pati thënë për Gazetën JNK se “mungon rregullorja e punës” e cila do t’ia mundësonte komisionit të merrej me rastet e ngjashme.

Kjo dukuri është shumë e shpeshtë në Universitetin e Prishtinës. Kohë më parë Gazeta JNK ka raportuar për rastin e shefit të Departamentit të Historisë në Fakultetin Filozofik i cili ka kopjuar pjesë të tëra nga punimi i masterit të studentit të Universitetit të Vjenës Adam Christian.

Universiteti i Prishtinës, edhe pse i njoftuar për rastin e Bezerajt më datë 21 korrik 2016 përmes hulumtimit të publikuar, nuk ka hapur ndonjë hetim.

Përkundrazi, UP e ka avancuar Bezerajn gjashtë ditë më vonë, më 27 korrik 2016, nga asistent në gradën e profesorit asistent.

Universiteti nuk ka pranuar të përgjigjet për rastet e përmendura, por vazhdon të qëndrojë i palëkundur në realizimin e avancimeve edhe në rastet kur komisionet japin vlerësime negative, siç kishte zbuluar Gazeta JNK për rastin e Bezerajt nga departamenti i historisë.