Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa e kryeparlamentari Kadri Veseli – Foto: Presidenca e Kosovës

Koordinohen për 'Jetësimin e Obligimeve Ndërkombëtare'

Presidenti Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim të përbashkët me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Isa Mustafa.

Sipas një njoftimi të Presidencës, në këtë takim është biseduar për “vazhdimin e koordinimit të përbashkët për jetësimin e obligimeve ndërkombëtare që Kosova është zotuar t’i realizojë”.

“Në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, ata janë pajtuar që të vazhdohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të përmbyllet demarkacioni me Malin e Zi dhe të punohet për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Këta hapa, sipas njoftimit të Presidencës, përveç që do të mundësojnë përmbylljen e integrimit të plotë të komunitetit serb në institucionet e Kosovës, do t’i hapin rrugë edhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe konsolidimit të mëtejshëm të shtetësisë dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës.