Stanishiq dhe Simatoviq në sallën e gjyqit. Foto: MICT.

Kontestohet Përgjegjësia Serbe për të Zhdukurit Kroatë

Avokatët e Jovica Stanisiqit dhe Franko Simatoviqit në Mekanizmin për Gjykatat Ndërkombëtare në Hagë të enjten kontestuan gjetjet e paraqitura nga ekspertja e akuzës Visnja Biliq dhe argumentuan se disa nga ata që u zhdukën gjatë luftës kroate ishin në fakt ushtarë, jo civilë.

Biliq, e cila merret me çështjet e personave të zhdukur në Ministrinë e Veteranëve të Luftës në Kroaci, dëshmoi të mërkurën se shumica e 929 njerëzve që rezultojnë ende të zhdukur nga lufta në Kroaci u zhdukën në vitin 1991 si rezultat i sulmeve serbe.

Avokati mbrojtës i Simatoviqit, Vladimir Petroviq, i paraqiti dëshmitares shembuj të tre burrave të renditur në raportin e saj, të cilët u zhdukën nga fshati Dalj në zonën e Sllavonisë Lindore në verën e vitit 1991 dhe të cilët ajo i kategorizoi si civilë.

Petroviq citoi një regjistër të veteranëve të luftës së Kroacisë të bërë nga Ministria e mbrojtjes në Zagreb që thotë se burrat kishin gjithashtu statusin e luftëtarëve.

Biliq konfirmoi se dokumenti i Ministrisë së Mbrojtjes “nënkuptonte” se burrat ishin “veteranë kroatë lufte nga Lufta për Atdhe”.

Megjithatë, ajo tha se “kjo nuk e përjashton mundësinë që ata të ishin civilë në momentin e zhdukjes”.

Dalji është një nga vendet në Kroaci ku sipas akuzave forcat e kontrolluara nga sigurimi serb i shtetit, liderët e të cilit ishin Stanisiq dhe Simatoviq, u kryen krime kundër civilëve kroatë dhe hungarezë.

Stanisiqi dhe Simatoviqi akuzohen për persekutim, vrasje, dëbime dhe zhvendosje të dhunshme të civilëve kroatë dhe boshnjakë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Sipas akuzave, ata ishin pjesë e një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale të udhëhequr nga ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviq që synonte dëbimin me dhunë dhe të përhershëm të kroatëve dhe boshnjakëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës e Hercegovinës për të arritur dominimin serb.

Stanisiq dhe Simatoviq deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit të kaluar, pasi Apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.

Gjykata vendosi më 15 dhjetor se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanisiq dhe Simatoviq u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.

Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj.

Gjykimi vazhdon më 17 tetor.