Kontesti Pronësor- Mungon i Padituri

Mungesa e të paditurit Safet Hajra, ishte shkak për mosmbajtjen e seancës për vërtetim pronësie në Gjykatën Themelore të Mitrovicës

Sipas padisë se ngritur në tetor të vitit 2013, paditësi Avni Preteni ka paditur Safet Hajrën dhe Salih e Burim Pretenin në kontestin për vërtetimin e pronës në Mitrovicë.

Kjo pronë, sipas padisë më parë, ishte blerë nga babai i paditësit.

Preteni përmes padisë ka kërkuar nga gjykata që t’i obligojë të paditurit t’ia njohin atij të drejtën e pronësisë në pronën e paluajtshme.

Po ashtu përmes kësaj padie, paditësi Avni Preteni kërkon që t’i lejohet ta regjistrojë në emër të tij pjesën e paluajtshmërisë, për të cilën pretendon se e posedon të drejtën e pronësisë.

Ai në padi gjithashtu kërkon që edhe t’i caktohet masa e përkohshme e sigurimit ndaj të pandehurve dhe t’u ndalohet atyre ndërtimi apo tjetërsimi i asaj prone.

Ndryshe gjykatësi i rastit Skender Shala në seancë tha se të paditurit Safet Hajra i është dërguar ftesa me rregull, por se nga shërbimi postar i gjykatës nuk është kthyer asnjë konfirmim nëse i njëjti ka pranuar apo refuzuar ftesën për seancën e planifikuar të mbahej në Departamentin Civil të Gjykatës në Mitrovicë.