Njëra nga qendrat tregtare | Foto: BIRN

Konsumatorët e Kosovës Vështirë t’u Shmangen Mallrave Serbe

Në qendrën tregtare “Plus Market” në Ferizaj, konsumatorët nuk mund të blejnë ndonjë brend të njohur të çokolatave, qumështit apo ndonjë produkti tjetër serb sado që të kërkojnë.

Të gjitha produktet serbe janë zëvendësuar me produkte të tjera të ngjashme me origjinë nga Kosova dhe shtete të tjera.

“Kur Daçiq dhe Vuçiq shfaqen në televizion duke thënë ‘Ne kurrë nuk do ta pranojmë Kosovën si shtet’, kjo më bën t’i bojkotoj produktet e tyre edhe për 100 vitet e ardhshme. Produktet serbe kurrë nuk do të jenë në dyqanin tim,” tha për BIRN, Sylejman Neziri, pronari i këtij marketi.

Lufta në Kosovë përfundoi në vitin 1999 ndërsa Kosova e shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Por Beogradi refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës. Mosbesimi dhe armiqësia mes shqiptarëve dhe serbëve është e thellë.

Pavarësisht armiqësisë, Serbia mbetet eksportuesi më i madh i mallrave në Kosovë, ku ato eksporte po vazhdojnë të rriten.

Megjithatë, ky shitës ka bojkotuar rreptësisht produktet serbe që nga viti 2006, kur pronari kishte një dyqan më të vogël.

Menaxheri i “Plus Market”, Remzi Bytyqi thotë se nuk është mjaft e lehtë për të zëvendësuar të gjitha produktet serbe që janë blerë tradicionalisht në Kosovë për dekada të tëra.

“Kam pasur vështirësi për të gjetur zëvendësime. Vetëm atëherë e kam kuptuar që  kemi pasur kaq shumë produkte nga Serbia”, tha ai.

“Por, kur fillova t’i heq ato produkte, kuptova se ne jemi duke importuar edhe ujë nga Serbia, kur dihet se Kosova ka shumë ujë madje të cilësisë të mirë,” shtoi menaxheri.

bojkoti_640

“Produktet me origjinë nga Serbia janë të dyshimta,” tha ai për BIRN.

Inspekcioni i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës tha për BIRN se ata kryejnë kontrolle të rregullta për ushqimin që shitet dhe se në vitet e fundit nuk është gjetur asnjë përbërës kancerogjen në produktet nga Serbia.

Çështjet për sigurinë e produkteve nga Serbia mbeten të rralla. Këtu përfshihet një rast më 2012, kur importet e grurit serb u ndaluan nga Kosova dhe vendet e tjera europiane, pasi ishte konstatuar se përmban aflatoxin. Edhe në vitin 2014, biskota serbe u ndaluan nga dyqanet në BE pasi përmbanin ochratoxin më shumë se që duhet.

Megjithatë, Bytyqi është i bindur se ushqimet nga Serbia mund të jenë të kontaminuara.

“Ne kemi pasur shumë raste … të substancave kancerogjene në to. Për këtë arsye, për shkak të armiqësisë dhe për shkak të dëmeve që na ka shkaktuar, ne kemi vendosur përfundimisht t’u themi “jo” atyre produkteve”, ka thënë Bytyqi, duke u bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen bojkotit.

Thirrjet për të bojkotuar prodhimet serbe në Kosovë nuk janë asgjë e re. Por, dyqanet si ai në Ferizaj, të cilat refuzojnë të shesin mallrat serbe, mbeten të rralla.

Fërkimet e fundit politike me Beogradin kanë ringjallur thirrjet për blerësit që t’i shmangin mallrat serbe.

Pasi Franca arrestoi ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinajn, në bazë të një urdhërarresti serb dhe pasi Serbia u përpoq ta dërgojë një tren në Kosovë i cili ishte i mbuluar me parulla që shprehnin se “Kosova është Serbi”, njerëzit në rrjetet sociale i ripërtrinë thirrjet për bojkot.

Një poster është shpërndarë në mediat sociale, i cili thërret qytetarët të mos blejnë produkte serbe. Në të shkruhet: “Që nga viti 2002 ne i kemi dhënë 3 miliardë euro Serbisë. Bojkotoni barkodin 860 (Barkodi i Serbisë).”

31 vjeçarja, Adelina Sejdiu, është njëra prej atyre që i’u bashkuan bojkotit.

“Në familjen time ne bojkotojmë produktet serbe sepse kemi lexuar në media se ato përmbajnë përbërës kancerogjenë. Dhe unë mendoj se kemi mjaftueshëm produkte në Kosovë për t’i zëvendësuar ato të Serbisë”, tha ajo.

Se sa i ndjekin të tjerët këto thirrje mbetet për t’u parë. Shumë kosovarë pa qejf e pranojnë se, pavarësisht sa mbështeten fushatat e tilla, në praktikë ata vazhdojnë blerjen e mallrave nga Serbia.

“Shqiptarët e Kosovës e mbështesin këtë fushatë publikisht, por në anën tjetër të gjithë ata ende i blejnë ato produkte”, tha për BIRN, 35 vjeçarja Vlora Dervodeli, nga Prishtina.

Shifrat e importit duket se e mbështesin këtë pohim, duke treguar se sa thellë është rrënjosur zakoni i blerjes në Kosovë, dhe sa e vështirë është për të rezistuar fluksin e mallrave serbe.

“Gjatë vitit 2016, Kosova ka importuar 389 milionë euro mallra nga Serbia”, tha për BIRN zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, duke shtuar se “kjo është më shumë se në vitin 2015, kur vlera ishte 372 milionë.”

Serbia është eksportuesi më i madh i mallrave në Kosovë, duke u pasuar nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Përkundër të gjitha problemeve ekzistuese mes Serbisë dhe Kosovës, unë nuk besoj se ato duhet të ndikojnë në tregtinë midis dy vendeve. Ka raste kur unë bojkotoj prodhimet serbe, por vetëm për shkak se gjej produkte të njëjta nga vendet tjera, por me cilësi më të lartë. Por në qoftë se unë pëlqej një produkt, nuk e bojkotoj atë, pavarësisht se nga ku e importon Kosova. Në të vërtetë, ka raste kur edhe nuk e kam lexuar nga cili vend është produkti, pasi dyqanet tona kryesisht kanë produkte serbe dhe nuk kemi me cka t’i zëvendësojmë”, ka thënë Dardan Hoti nga Prishtina.

Në një kolumne të shkruar për gazetën “Jeta në Kosovë”, opinionisti Agron Demi ka shkruar për importin e mallrave që Kosova bën nga Serbia.

Hakmarrja ndaj ‘Cipiripit’