Foto: Prokuroria e Shtetit

Konsiderohet Keqkuptim Mospagesa e Avokatëve Sipas Detyrës Zyrtare

Në një takim të Blerim Isufajt me Osman Havollin u konstatua keqkuptim mospagesa e avokatëve sipas detyrës zyrtare

Sot kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj është takuar me kryetarin e Odës së Avokatëve, Osman Havolli.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Prokuroria e Shtetit, në takim u bisedua për mospagesën e avokatëve që janë thirrur nga policia sipas detyrës zyrtare.

“Pas takimit të mbajtur sot, Kryesuesi Isufaj dhe Kryetari Havolli kanë ardhur në përfundim se mospagesa e avokatëve sipas detyrës zyrtare ka qenë një keqkuptim nga dy institucionet, kjo tashmë është zgjidhur dhe nuk do të ketë arsye për bojkotim të tyre në përfaqësim zyrtar”, thuhet në komunikatën nga takimi.

Sot Oda e Avokatëve njoftoi se do të detyrohet të mos çojë përfaqësuesit e saj në polici, nëse avokatët nuk paguhen për këtë përfaqësim.

Pagesa për përfaqësimin ex- officio të avokatëve bëhet nga Këshilli Prokurorial i Kosovës kur ata ftohen nga policia dhe prokurori dhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kur avokatët ftohen për përfaqësim nga gjykata.