Konkurs i Ri për Drejtor të Teatrit Kombëtar

Bordi Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka aprovuar të martën dorëheqjen e drejtoreshës së këtij teatri, Elmaze Nurës.

Zymber Kelmendi, udhëheqës i Bordit të Drejtorëve të Teatrit Kombëtar thotë se veç kësaj është bërë edhe kërkesë për fillim të procedurave për konkurs të ri.

“Dorëheqja është aprovuar prej këshillit, në bazë të kërkesës së drejtoreshës që e ka dërguar dhe natyrisht i kemi bërëë edhe një kërkesë ministrisë për hapjen e konkursit në mënyrë sa më të shpejtë të mundshme ligjore, që mos të ketë vakuum institucional”, thotë Kelmendi.

Nura që në këtë post erdhi në shkurt të këtij viti, është tërhequr nga posti i drejtoreshës, për të mbajtur postin si profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Kjo pasi rektorati i Universitetit të Prishtinës pati kërkuar që profesorët të cilët kanë më shumë se një kontratë të rregullt, të përcaktohen për njërën nga pozitat që duan t’i mbajnë deri më 20 shtator.

Shkëlzen Dragaj këshilltar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit thotë se pas informimit zyrtar nga bordi, ministria do të shpallë konkurs të ri për drejtues të Teatrit Kombëtar.

“Jemi ne pritje që Bordi edhe zyrtarisht me një shkresë ta informojë MKRS-në për këtë…Ne, pas këtyre procedurave do të ndjekim hapat e ardhshëm, deri në shpalljen e konkursit për drejtor te ri”, thotë ai.

Por, Dragaj nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur do të mund të shpallej konkursi.

Nura kishte zyrtarizuar vendimin e saj për të mbajtur vetëm postin e profesoreshës në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, në ditën e fundit të afatit të vënë nga Rektori.

“E kemi marrë konfirmimin më 20 shtator”, thotë Ardian Kastrati, këshilltar i rektorit në Universitetin e Prishtinës.

Konkursi i kaluar ishte kontestuar

Elmaze Nura ishte zgjedhur si drejtoreshë e Teatrit Kombëtar në një konkurrencë me ish drejtoreshën e deriatëhershme Burbuqe Berisha, aktorët Avni Abazi dhe Avni Dalipi, dramaturgun Naser Shatrolli dhe Mucelja Mushkeran që nuk ishte paraqitur fare në intervistë.

Pas zgjedhjes së Nurës në postin e drejtoreshës ishte ankuar Burbuqe Berisha.

Ankesa e saj konsistonte në përbërjen e Këshillit intervistues, ku pesë anëtarë kanë qenë nga Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës, aty ku punon si profesoreshë dhe koordinatore Elmaze Nura.

Ministria e Kulturës e kishte dërguar ankesën e Berishës në Agjencionin Kundër Korrupsion, i cili kishte marrë vendim se në këtë konkurs nuk ka pasur konflikt interesi.

Ish-konkurrentët të kujdesshëm

Ish-drejtoresha e Teatrit Kombëtar Burbuqe Berisha, e cila  pati konkurruar në konkursin e mëhershëm, thotë se ende nuk është e vendosur nëse do të kandidojë përsëri për të drejtuar teatrin.

“Nuk du me thënë kurrgjë prerë, por nuk e kam vendosë. Unë kam mendu se ajo ka me pasë jetë të gjatë në teatër edhe se kam menu hiq këtë punë. Nuk kam parë kurrgjë zyrtarisht që ka ndodhë që me mujtë me u përcaktu”, thotë Berisha.

Ndërkaq aktori dhe producenti Avni Dalipi thotë se nuk e ka ndërmend të aplikojë.

Ai thotë se  është e palogjikshme të aplikojë me programin e njëjtë tek bordi i njëjtë që sipas tij, nuk ia kishte vlerësuar këtë program për teatrin.

“Sikur të mos ishte i njëjti bord, sigurisht që do të kisha aplikuar. Përderisa është e njëjta situatë me të njëjtin bord, nuk ka logjikë. Tek ky bord programi im ka dështuar, ose më mirë me thënë nuk është vlerësuar”, thotë Dalipi.

Dramturgu Naser Shatrolli, që po ashtu ishte kandidat në konkursin e kaluar, thotë se është duke e përcjellë rrjedhën dhe nuk jep përgjigje nëse do të jetë ose jo konkurrent në konkursin e ri.

 Edhe aktori Avni Abazi ende nuk është i sigurt se a do t’i futet përsëri kësaj gare.

“Të them të drejtën nuk kam marrë ende vendim a do të konkurroj a jo, sepse po dihet qysh po shkojnë senet… Mesa duket planet veç janë realizu, domethënë ata e kanë veç njeriun e vet, kështu që unë nuk jam i sigurte ende se a do të konkurroj a jo”, thotë Abazi.

 Teatri Kombëtar i Kosovës është teatër me karakter shtetëror dhe si i tillë, financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.