Glauk Konjufca | Foto: KALLXO.com

Konjufca nuk Beson që do të Vijë Puna te Lotsjellësi

Glauk Konjufca tha sot se nuk beson që do të vijë puna të përdoret gazi lotsjellës në Kuvend.

Pasi Kryesia e Kuvendit caktoi për nesër seancën ku do të shqyrtohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca u pyet nëse gazetarët duhet të shkojnë me maska në Kuvend.

Konjufca kësaj pyetje iu përgjigj me fjalët se nuk beson që do të shkojë puna deri aty sa të përdoret gazi lotsjellës.

Ai tregoi se Vetëvendosja e kundërshton komplet marrëveshjen.

“Fatkeqësisht kjo kaloi. Vetëvendosje e kundërshton komplet këtë marrëveshjen”, tha Konjufca.

Ai e cilësoi paradoksale dërgimin në Kuvend të marrëveshjes së demarkacionin bashkë me raportin e komisionit për shënjimin e kufirit.

“Është paradoksale se si qeveria i ka sjellë të dyjat, marrëveshja me raportin e Bulliqit”, tha Konjufca.

Ai deklaroi se në Kuvend votohet vetëm marrëveshja, ndërsa sipas Konjufcës deklarata e dy presidentëve është veç për konsum të brendshëm.

“Kjo marrëveshje [deklarata e dy presidentëve]nuk është obligative për Malin e Zi, kjo po bëhet për konsumin e brendshëm ngase Mali i Zi e ka të ratifikuar vetëm marrëveshjen e 2015-ës”, tha Konjufca.