Kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca - Foto: KALLXO.com

Konjufca: Ligji për Ushtrinë as Javën e Ardhshme

Kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha sot pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se si qëndrojnë punët aktualisht Ligji për Ushtrinë nuk do të sillet për votim as gjatë javës së ardhshme.

“Nuk e patëm për diskutim Ligjin për Ushtrinë. Po vërehet se kemi tërheqje të presidentit pas një vrulli. Sipas situatës, nuk do të ketë edhe javën e ardhshme”, tha Konjufca.

Konjufca tha po ashtu se VV është e bindur se bërja e FSK-së Ushtri nuk do t’i bënte ndërkombëtarët t’ia kthejnë shpinën Kosovës.

Ai foli edhe kthimin e Listës Serbe në Kuvend. “Nëse Lista Serbe është kthyer në Kuvend që ta kompenzojë Ushtrinë me Asociacionin, nëse ky është pazari që e ka bërë Qeveria, ky do të ishte lajm shumë i keq, se në njërën anë krijohet Ushtria e në anën tjetër ndahet Kosova”, tha ai.

Po ashtu, Glauk Konjufca vlerësoi se koalicioni qeveritar nuk po funksionon. Ai këtë e ndërlidhi me faktin se Kuvendi nuk është duke funksionuar.

“U mblodhëm e vendosëm se si t’ia bëjmë pikave të pavotuara. Ma shumë se një muaj e gjysë që nuk po mund të kapërcej pika të caktuara. Koalicioni nuk po funksionon. Tek tash po merremi me pikat e datës 9 shkurt”, tha ai.

Më 7 mars, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, propozimet për ndryshimet në ligjin i cili pritet ta forcojë FSK-në në kompetenca brenda emrit aktual.

http://kallxo.com/thaci-ia-dorezon-veselit-projekt-ligjin-per-fsk-ne/

Por, ky propozim ishte kundërshtuar nga NATO dhe ShBA.

http://kallxo.com/nato-kundershton-idene-e-thacit-per-fsk-ne/

Emisioni “Drejtësia në Kosovë“ ofroi pamje ekskluzive nga aktiviteti i komandës së Brigadës së Reagimit të Shpejtë të FSK-së.