Glauk Konjufca - Foto: KALLXO.com

Konjufca Lëshon Demonstrativisht Mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit

Anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje,e Glauk Konjufca, e ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit sepse, sipas tij, aty u vendos në mënyrë jodemokratike për udhëheqjen e Komisionit, i cili do të krijohet nga Kuvendi i Kosovës për ta mbikëqyrur implementimin e MSA-së.

“Në të gjitha bisedat që kemi pasur jemi marrë vesh që për udhëheqjen e tij të vendoset në mënyrë politike. Këtu u vendos me mbivotim, pra që me shumicë të votave ky Komision të udhëhiqet nga pozita. Dhe tash do të jemi në situatën ku Xhavit Haliti do të kryesojë tri delegacionet kryesore të Parlamentit të Kosovës: Delegacionin në Këshillin e Europës, delegacionin në NATO dhe delegacionin në Parlamentin Europian”, tha Konjufca.

Konjufca e ka quajtur “të gërditshme” dhe “të shëmtuar” mundësinë që nënkryetari i PDK-së të udhëheqë tre delegacionet më të rëndësishme sa i përket relacionit të Parlamentit me institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare.

“Andaj unë e lëshova mbledhjen në mënyrë demonstrative. Ne mendojmë se Këshilli i Europës, Asambleja e NATO-s dhe Parlamenti Europian duhet të ndahen ndërmjet tri subjekteve më të mëdha politike: njërin VV, tjetrin PDK dhe tjetrin LDK”, shtoi Konjufca.

Sipas tij, për këto propozime kanë pasur edhe përkrahjen e Ulrike Lunacek dhe të gjithë akterëve ndërkombëtarë, “të cilët kanë thënë që këto pozita të ndahen”.

“Këta kanë hy në një fazë të rrezikshme që veç pse e kanë shumicën me i marrë krejt pozitat udhëheqëse”, tha ai.

KALLXO.com transmetoi LIVE deklaratën e Glauk Konjufcës.