Glauk Konjufca - Foto: Ilustrim

Konjufca: Dialogu me Serbinë me Agjendë të Mbyllur

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha sot se qeveria e Kosovës e ka drejtuar dialogun me Serbinë përmes një “agjende të mbyllur”.

Në një konferencë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) rreth rolit të Kuvendit në të ardhmen e dialogut Kosovë- Serbi, Konjufca u shpreh se ky dialog ka qenë “qëndrim i njëanshëm qeveritar”.

“Ky dialog është inicuar nga dy qeveritë e kaluara të cilat e kanë konceptuar si një proces që Qeveria duhet të këtë monopolin e saj të plotë. Unë jam ithtar që Kuvendi të jetë qendër e këtij procesi. Kuvendi është i vetmi ai që e legjitimon atë që e ka bërë qeveria dhe kjo nuk ka qenë në rregull por na ka dëmtuar shumë edhe në rezultatin e marrëveshjeve”, tha Konjufca.

Ai tha se ky dialog ka filluar pa një agjendë dhe pa plan të hollësishëm dhe duke anashkaluar Kuvendin e Kosovës përgjatë gjithë kohës.

“Mos transparenca ishte në themel dhe kjo u bë një praktikë e zakonshme edhe pse ne kërkonim që kryeministri të vjen në raport në Kuvend. Kosova me Serbinë duhet me fillu nga zgjidhja parciale. Qasja me Serbinë duhet të jetë ndryshe me ta. Nuk e kemi zgjidhur problemin kryesor. Dialogu duhet t’i takojë Kuvendit”, tha Konjufca.

Më herët, në këtë konferencë, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se Kuvendi duhet ta vëzhgojë rrjedhën e dialogut Kosovë- Serbi.