Shefat e GP takohen me kongresmenët amerikanë - Foto: Nisma për Kosovën

Kongresmenët Duan Unitet Politik rreth Çështjeve Nacionale

Shefat e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës kanë pritur në një takim delegacionin e kongresmenëve amerikanë të udhëhequr nga Peter Roskam dhe David Price.

Përmes një komunikate, shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, ka thënë se mysafirët e sotëm janë njoftuar  për situatën politike në Kosovë.

Sipas komunikatës, deputetja Valdete Bajrami u ka thënë kongresmenëve amerikanë se situata politike në vend nuk është ashtu siç do dëshironim për faktin se gjatë këtij mandati, kësaj legjislature i ka munguar konsensusi dhe uniteti, sidomos për çështjet nacionale, si demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Deputetja Bajrami citohet të ketë thënë se Nisma nuk e ka mbështetur çështjen e Demarkacionit për faktin se është dëshmuar nga ekspertët se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje Kosova rrezikon t’i humbë mbi 8 mijë hektarë, ndërsa sa i përket Asociacionit ajo ka thënë se nuk e kanë mbështetur për shkak se kanë vlerësuar se e rrezikonte shtetësinë e Kosovës, pasi që një Asociacion i tillë parashihte të kishte kompetanca ekzekutive dhe kjo për Nismën ishte e papranueshme.

Ndërsa, kongresmenët amerikanë, sipas të njëjtës komunikatë, gjatë këtij takimi kanë kërkuar që për çështjet politike me interes nacional të ketë sa më shumë unitet dhe bashkëpunim mes gjithë spektrit politik në Kosovë

.

http://kallxo.com/kongresmenet-rikonfirmojne-mbeshtetjen-e-shba-se-per-kosoven/