Konflikti i Interesit si Burim Përfitimi në Kompaninë e Mbeturinave

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” raportoi për hulumtimin rreth menaxherit të ATK-së në regjionin e Mitrovicës i cili për disa vjet ushtroi paralelisht edhe funksionin e kryesuesit të bordit në kompaninë për menaxhimin e mbeturinave në Mitrovicë “Uniteti” pa pasur lejen e menaxherëve të ATK-së.

Ukshin Rrecaj është njëri nga themeluesit e degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë për disa vjet ai kishte qenë edhe asamblist i kësaj partie. Ai është emëruar në postin e menaxherit të ATK-së për Mitrovicë në vitin 2010.

Me rregullore e ligje të ATK-së punëtorëve e veçanërisht menaxherëve të ATK-së nuk u lejohet të mbajnë puna tjera. Por ky rregull nuk ka vlejtë për disa vite për njeriun e PDK-së. Nga Komuna ku ishte asamblist Rrecaj ishte emëruar si anëtar i bordit të ndërmarrjes “Uniteti”.

Kjo ndërmarrje në vazhdimësi ishte borxhli i ATK-së megjithatë zyrtari i ATK-së i cili duhej të kujdesej për mbledhjen e borxhit ishte pjesë e ndërmarrjes.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” e kishte pyetur ATK-në se pse Ukshin Rrecaj kishte ushtruar dy funksione.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se Zyra e Standardeve Profesionale në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës, ka lejuar punën sekondare të z. Ukshin Rrecaj në ndërmarrjen publike “Uniteti” nga data 21.03.2011 deri më datë 21.03.2013”, ishte përgjigjur ATK përmes emailit.

DnK kishte  kërkuam sqarime shtesë nëse Rrecaj ka pasur mundësi ta ushtrojë postin e anëtarit të bordit edhe pas vitit 2013, por zyrtarët e ATK-së thanë shkurt se leja ka qenë deri në vitin 2013.

Vetë Ukshin Rrecaj në intervistë për emisionin DnK  pranon se i ka mbajtur dy pozita por në fund ka vendosur që nga njëra të japë dorëheqje për shkak se nuk lejohet me kodin e etikës së ATK-së.

“Kam qenë anëtar bordi deri kah mesi i vitit 2014 po tash nuk jam duke e ushtruar atë funksion. Në momentin e zgjedhjes nuk ka pasë pengesë ligjore por pas përfundimit të mandatit nuk lejohet një gjë e tillë jo për shkak të konfliktit të interesit po për shkak të një kodi të etikës në ATK-së”, tha Rrecaj.

Vet Ukshin Rrecaj pranoi se nuk ka mundur ta ushtrojë këtë pozitë megjithatë ka vazhduar ta mbajë atë me arsyetimin se komuna nuk e kishte zëvendësuar atë, mirëpo Komuna e Mitrovicës nëpërmes përfaqësuesit të saj në Kompaninë “Uniteti”, Naim Hajra thotë së Rrecaj jashtëligjshëm e ka mbajtur atë pozitë.

“Ata vazhdojnë me i marrë disa paga të majme në krahasim me punëtorët e kësaj kompanie. Ukshin Rrecaj është kryetar i këtij bordi dhe tash do duhej m’u zgjedhë një bord tjetër”, kishte thënë Hajra në dhjetor të 2015.

Skender Tahiraj, drejtori i kompanisë “Uniteti” thotë së bordi takohej edhe pas përfundimit të mandatit për konsultime rreth menaxhimit të hedhurinave.

“Jo për momentin, përveç ndonjë konsultë kur lidhshmëria është nëpërmes menaxhimit të hedhurinave”, kishte thënë Tahiri në dhjetor të vitit 2015.

Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri shprehet mjaft i pakënaqur më punën e bordit që udhëhiqej nga Rrecaj.

“Unë nuk kam marr asnjë raport prej bordit të drejtorëve që janë në këtë kompani dhe me të vërtetë jam shumë i pakënaqur”, shprehet Bahtiri.

Për ta sqaruar nëse mbajtja e pozitave të tilla është në konflikt interesi dhe nuk lejohet me ligj përpos mendimit të ATK-së, DnK ka kërkuar edhe mendimin e Agjencioni Kosovar Kundër Korrupsionit.

Ky agjencion vendosi të merret me situatën e Rrecajt vetëm atëherë kur hulumtuesit e DnK-së kërkuan sqarime dhe në kohën kur kishin kaluar pesë vjet nga koha kur Rrecaj ushtronte dy funksione.

Në një shkresë të pranuar nga AKK thuhet se rasti pas një hetimi është mbyllur me një arsyetim interesant.

“Për shkak të kompletimit dhe argumentimit të lëndës, kemi kërkuar nga z. Rrecaj që të na dërgojë tekstin e dorëheqjes, me vulë dhe protokoll. Më 12.01.2016 Z. Rrecaj në AKK ka dërguar një kopje të shkresës së dt.18.10.2015 në të cilën shihet së ai ka dhënë dorëheqje nga të qenurit Anëtar i Bordit të KRM “Uniteti”. Në fakt z, Recaj ka deklaruar se ai edhe më herët nuk kishte marrë pjesë në takimet e KRM ‘’Uniteti” , por me shkrim Dorëheqjen e ka ofruar në këtë datë”, thuhet në shkresën e pranuar nga AKK.

Shefi i AKK-së, Hasani Preteni nuk ka pranuar të flasë për vendimin e AKK-së dhe për faktin se për pesë vjet ky Agjension nuk e kishte parë të rrugës ta shikonte këtë situatë të mundshme të konfliktit të interesit.

E përpos konfliktit të mundshëm të interesit hulumtuesit e DnK-së zbuluan edhe një fakt interesant. Anëtarët e bordit të ndërmarrjes, përfshirë edhe Ukshin Rrecaj, kanë marrë paga edhe pas përfundimit të mandatit.

Përfundimisht dilema e dorëheqjes së Rrecajt e ka zgjedhur komuna e Mitrovicë me anë të një komunikate të lëshuar më 6 prill në të cilën shkruan së Bordi i drejtorëve të kompanisë “Uniteti” e ka aprovuar dorëheqjen e Rrecajt nga posti i kryesuesit të këtij bordi.

“Komisioni Komunal i Aksionarëve të Kompanisë Rajonale Mbeturinave (KRM) “Uniteti” në takimin e mbajtur të mërkurën kanë diskutuar për gjendjen e përgjithshme në ndërmarrjen KRM  “Uniteti”. Komisioni Komunal i Aksionarëve të KRM “Uniteti”, në të njëjtin takim shqyrtoi dhe unanimisht aprovoi dorëheqjen e kryesuesit të Bordit, Ukshin Rrecaj”, shkruan në komunikatën e Komunës së Mitrovicës.