Dogana e Kosovës - Foto: Rtv21

Konfiskohen Cigare pa Banderola në Gjakovë

Dogana e Kosovës në kuadër të aktiviteteve kundër kontrabandës dhe dukurive tjera të paligjshme, dje pasdite ka zhvilluar një aksion në qytetin e Gjakovës ku edhe janë kapur sasi të cigareve pa banderola.

“Njësitë e Doganës së Kosovës ushtruan kontroll sipas mandatit në depo dhe objektet përcjellëse në lokacionin e dyshuar. Derisa oficerët doganorë po ushtronin kontroll vërejtën se një person po tenton të largonte cigaret nga prona e tij duke tentuar që t’i hedhë  tutje”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Dogana më tutje tregon se oficerët e saj e ndaluan këtë veprim.

“Pasi që oficerët doganorë e ndaluan këtë veprim vërejtën se kishte sasi të duhanit pa banderola të Republikës së Kosovës”, sqaron më tutje Dogana.

Ky institucion tregoi se kapi cigare pa banderolë  “Ashima” 3800 copë, cigare pa banderolë “Art Slims” 39000 copë, cigare pa banderolë “Belagio” 5000 copë, cigare pa banderolë “President” 18200 copë, cigare pa banderolë “Eva Slims” 9600 copë.

Dogana bën me dije se cigaret janë konfiskuar dhe personit që tentoi t’i largojë ato i është lëshuar vërtetimi për konfiskim.

Ndaj tij, sipas doganës, kanë filluar edhe procedurat kundërvajtëse.