Ilustrim

Konfiskohen 350 Kilogramë Nënprodukte të Mishit në Rajonin e Ferizajt

350 kilogramë nënprodukte të mishit, të skaduara dhe të prishura janë konfiskuar gjatë ditës së sotme në rajonin e Ferizajt.

Konfiskimi i këtyre produkteve është bërë në bashkëpunim mes Komunës së Ferizajt, Inspektoratit Komunal dhe Policisë së Kosovës.

Gjysmë toni mish i prishur është konfiskuar pesë ditë më parë në të njëjtën komunë.

Në njoftimin e Komunës së Ferizajt, thuhet se aksioni i Inspektoratit Komunal ka rezultuar me konfiskimin dhe asgjësimin e afro 350 kg nënprodukte të mishit të cilat janë zënë gjatë kontrollit rutinor nga ana e policisë në një mjet transportues që po qarkullonte në territorin e Ferizajt për të cilën është njoftuar Inspektorati Komunal, të cilët menjëherë kanë dal në vendngjarje, kanë konstatuar gjendjen duke proceduar me konfiskimin dhe asgjësimin e kësaj sasie produkti.

Koordinatori i Inspektoratit Komunal, Ridvan Berisha, sipas njoftimit ka thënë se janë vazhdimisht duke monitoruar kushtet dhe cilësitë e produkteve që ofrohen në treg.

“Inspektorati Komunal është vënë në një dinamikë të jashtëzakonshme pune. Vazhdimisht jemi në monitorim të kushteve dhe cilësisë së produkteve që ofrohen në treg. Deri më tani kemi konfiskuar dhe asgjësuar një sasi të jashtëzakonshme të mishit dhe nënprodukteve të tij nga aksionet që kemi realizuar. Mbështetja për këto aksione është drejtpërdrejtë nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu dhe ne bashkë edhe me organet e sigurisë dhe të drejtësisë do t’i shkojmë deri në fund këtij aksioni”, thuhet më tutje në njoftim.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar në lidhje me konfiskimin e produkteve të skaduara e të prishura të mishit.

 

http://kallxo.com/prokuroria-ne-aksion-mbyllen-dy-fabrika-te-mishit-ne-dragash/

http://kallxo.com/prokuroria-vihet-ne-veprim-per-mishin-e-prishur-ne-supermarkete/

http://kallxo.com/shtohen-mostrat-e-mishit-qe-shkojne-per-analiza/