Arkiv

Konfirmohet: 3 Kosovarë të Vrarë në Munich

Në mesin e viktimave të sulmit të mbrëmshëm në Munich janë edhe tre të rinj me origjinë nga Kosova.

Kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës përmes një komunikate.

“Të tronditur nga sulmi terrorist, MPJ shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe qëndron pranë tyre në këto momente të vështira për ta dhe gjithë komunitetin shqiptarë kudo në botë”, thuhet në komunikatë e MPJ-së, në të cilën thuhet se Ministria dhe Ambsada janë në dispozicion të familjeve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës të prekur mbrëmë nga kjo ngjarje shokuese dhe e dhimbshme.

Se tre qytetarë me origjinë nga Kosova janë të vrarë në sulmin në qendrën tregtare “Olympia” në Munich ka treguar edhe kryeparlamentari Kadri Veseli në një postim në “Facebook”.

“Ndjejmë dhimbje të thellë dhe shprehim indinjatën tonë për krimin makabër që ua mori jetën 9 qytetarëve të pafajshëm në Munih, në mesin e të cilëve edhe tre bashkatdhetarë tanë. Shpreh solidaritetin tim dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës me shtetin dhe popullin gjerman, duke konsideruar se sulmet e tilla të tmerrshme nuk do të mundin të ndryshojnë vlerat tona të përbashkëta dhe mënyrën tonë të jetesës”, ka shkruar Veseli.

Edhe kryeministri Isa Mustafa ka reaguar rreth ngjarjes tragjike në qytetin jugor të Gjermanisë.

Përmes një komunikate, ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve të të vdekurve dhe popullit dhe Qeverisë së Gjermanisë.

“Jemi të shokuar nga ngjarjet që ndodhën nga sulmi i mbrëmshëm vdekjeprurës në Munih. Qytetarët e Kosovës janë thellësisht të prekur dhe të pikëlluar nga ky akt barbar që la të vdekur shumë njerëz të pafajshëm. Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave dhe lutemi për shërimin e të plagosurve”, thuhet në telegramin e kryeministrit Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, ka shprehur solidaritetin e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës me popullin dhe Qeverinë Gjermane, në këto momente të vështira.

http://kallxo.com/dijamant-zaberxha-nje-nga-viktimat-e-sulmit-ne-munich/