Besnik Tahiri (AAK). Foto: Kallxo.com

Koncepti i ‘Shef-Qet'-it Nëpër Komunat e Kosovës

Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka vënë emër asaj që njihet si ndikim i njerëzve të fuqishëm partiak mbi udhëheqësinë komunale.

“Nëpër parti ekzistojnë, është një farë titulli ‘Shefqet’, janë do shefa që t ‘qesin”, tha Tahiri në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.

Të ftuar nga Jeta Xhara për të analizuar zgjedhjet e fundit lokale , përfaqësues të partive të mëdha folën lidhur me pavarësinë e veprimit të Kryetarëve të Komunave nga partitë që përfaqësojnë.

Sipas Besnik Tahirit, nga AAK, vërehet një ndikim i njerëzve të fuqishëm partiak në fushën e veprimit të një kryetari apo kryetareje të zgjedhur.

“Ne duhet me qenë real para publikut, roli i njerëzve që janë senior në parti, që kanë një histori në parti, normal që kanë me pas ndikim te kryetari, te kryetarja. Duhet me dallu ndikimin, me imponimin e një agjende të caktuar në keqpërdorim….”, tha Tahiri.

Në këtë fushë është pajtuar edhe Dardan Molliqaj nga Lëvizja Vetëvendosje,  i cili tha se është e pamundur të shkëputet tërësisht lidhja e kandidatit të zgjedhur nga partia sepse sipas tij është pa natyrshme.

“Kandidatët që fitojnë, janë të ndikuar nga partia, edhe për të mirë edhe për të keq. Fenomeni Ramadan Muja apo fenomene të ngjashme kanë me u përsërit gjithmonë për shkak se është e pamundur me i shkëput”, tha Molliqaj.

Në anën tjetër, Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se kandidati i tyre për Prishtinë mund të ketë individualitet në veprim, jo tërësisht të ndikueshëm nga partia.

Në debatin për zgjedhjet lokale morën pjesë edhe Blerta Deliu nga Partia Demokratike e Kosovës për të diskutuar për të mirat dhe të këqijat e fushatës që kaloi.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë mund ta ndiqni në linkun e  mëposhtëm: