Foto: Atdhe Mulla

Komunave u Kërkohet Përfaqësim i Barabartë Gjinor në Qeverisje

Agjencia për Barazi Gjinore dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kaNë lëshuar një kërkesë në drejtim të kryetarëve të zgjedhur të komunave të Kosovës që kur të formojmë ekipet e tyre udhëheqëse të respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore.

“Duke shfrytëzuar rastin e fillimit të ushtrimit tuaj AGJB dhe MAPL, ju përkujton mandatarëve që janë përgjegjës për funksionalizimin e organeve komunale, obligimin për të respektuar zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore”, thuhet në kërkesë.

Edhe Institucioni i Avokatit të Popullit në maj të vitit 2017 përmes një deklarate publike, për të respektuar Ligjin për barazi gjinore, me theks mundësitë e barabarta dhe përfaqësimin e barabartë gjinor, u është drejtuar  institucioneve dhe autoriteteve përgjegjëse, si rikujtim për obligimin ligjor sa i përket barazisë gjinore.

“Avokati i Popullit vlerëson secilin veprim institucional në drejtim të respektimit të ligjeve dhe garancive kushtetuese, përfshirë barazinë gjinore, e në veçanti e çmon dhe e përkrah punën e mediave dhe shoqërisë civile që bëhet në këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit pët KALLXO.com sa i përket kërkesës së lëshuar nga ABGJ-ja dhe MAPL-ja.

Avokati i Popullit në përgjigje e konsideron “jashtëzakonisht të rëndësishme ngritjen e vetëdijen për respektimin dhe inkurajimin e barazisë gjinore, mundësive të barabarta dhe trajtimit pa diskriminim”.

Bazuar në Ligjin për Barazi Gjinore, Avokati i Popullit është institucion i barazisë, që trajton rastet që lidhen me diskriminimin gjinor, në përputhje me procedurat e parapara me Ligjin për Avokatin e Popullit.

Institucioni i Avokatit të Popullit dhe MAPL-ja kanë thënë për KALLXO. com se do t’i monitorojnë komunat nëse do të respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore përmes shkresave dhe rekomandimeve.

“Avokati i Popullit ka përgjegjësi dhe vepron për të hetuar shkeljet e pohuara, angazhohet për eliminimin e tyre, tërheq vëmendjen e autoriteteve kur shkeljet ndodhin, si dhe rekomandon autoritetet kompetente të Republikës së Kosovës për çështjet që kanë të bëjnë me avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, barazisë dhe jodiskriminimit dhe i bën publike ato, në përpjekje për të respektuar të drejtat dhe liritë e garantuara të njeriut dhe për t’i luftuar të gjitha format e diskriminimit”, thuhet në përgjigjet e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Kurse në përgjigjet e Ministrisë së Administrimit Pushtetit Lokal thuhet se konform legjislacionit në fuqi ajo do t’i monitorojë komunat dhe vazhdimisht përmes shkresave ligjore do të kërkojë nga to zbatimin e legjislacionit në Republikën e Kosovës.

Në serinë e debateve komunale “Debat Përnime” në dy raundet e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit dhe 19 nëntorit, Jeta Xharra vazhdimisht e ka bërë pyetjen në drejtim të kandidatëve për kryetar komune, se sa do të jetë përfaqësimi gjinor në ekipet e tyre udhëheqëse, për të marrë premtimet e tyre.

Premtimet e tashmë kryetarëve të zgjedhur do të maten me Krypometër, produktin e KALLXO.com për vërtetësinë e deklaratave publike, posa ata t’i prezantojnë ekipet e tyre.

Në dy artikujt e mëposhtëm mund të lexoni premtimet e kryetarëve të zgjedhur të komunave se nga sa gra do t’i kenë në ekipet e tyre udhëheqëse.

A do të Ketë më Shumë Gra në Krye të Drejtorive Komunale?

Fituesit e Komunave Kanë Premtuar Më Shumë Gra në Krye të Drejtorive