Mitrovica - Foto: Petrit Rrahmani

Komunat Veriore i Besojnë OShP-së

Raporti i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) për vitin 2015 thotë se është rritur komunikimi në mes të këtij institucioni dhe autoriteteve kontraktuese të komunave me shumicë serbe në vitin 2015.

Për dallim nga vitet e kaluara kur Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk kishte pranuar asnjë ankesë nga këto komuna, në vitin 2015 ky institucion pranoi 6 ankesa për aktivitetet e prokurimit të zhvilluara në veri të vendit dhe Komunën e Graçanicës.

Raporti i OShP-së bën të ditur se ankesat e pranuara nga komunat me shumicë serbe janë shqyrtuar përbrenda afatit ligjor.

Sipas raportit të OShP-së, Paneli Shqyrtues ka vendosur që 2 lëndë t’i kthejë në rivlerësim, dy të tjera në ritenderim, ndërsa për 2 lëndë e ka konsideruar të bazuar vendimin e autoriteteve kontraktuese.

Vendimet e nxjerra nga panelet shqyrtuese OShP-ja thotë se janë zbatuar në tërësi nga autoritetet kontraktuese.

Vitin e kaluar Gazeta Jeta në Kosovë shkroi për një kriter diskriminues në baza territoriale të zbatuar nga Komuna e Zveçanit si kusht për dhënie të tenderëve.

Hulumtimi i vjetshëm i gazetës zbuloi se për të lidhur kontratë në këtë komunë, kompanitë duhet  të dëshmojnë se kanë përvojë pune në komunat veriore të Kosovës.

Lidhur me këtë diskriminim kishte reaguar edhe Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), ndërsa asnjë operator ekonomik nuk ishte ankuar në OShP për një kriter të tillë.

Tenderët Politikë që Konfirmojnë Ndarjen e Kosovës

Komuna e Zveçanit Vazhdon të Diskriminoj Bizneset

Asnjëra nga 6 ankesat e pranuara në vitin 2015 në OShP nuk është nga Komuna e Zveçanit.