Lapidari i dëmtuar | Foto: KALLXO.com

Komunat pa Informata për Lapidarin e Dëmtuar që 5 Vjet

Lapidari i dëshmorëve Shefki Thaçi dhe Enver Duraku është dëmtuar që pesë vjet, por komunat e Suharekës dhe Gjakovës nuk dinë asgjë për këtë dëmtim.

Lapidari është i vendosur në malet e fshatit Dobërdelan të Suharekës në vendin ku gjatë luftës së UÇK-së u vranë dëshmorët Shefki Thaçi nga Komuna e Gjakovës dhe Enver Duraku nga Komuna e Rahovecit.

Zyrtarë të Komunës së Suharekës nuk e dinë se ky lapidar është dëmtuar.

“Komuna nuk është në dijeni për këtë rast, pasi askush nuk e ka njoftuar Komunën…e mësuam nga ju. Nëse vërtet kjo qëndron, shprehim keqardhje”, thonë zyrtarë të Komunës së Suharekës.

Për gjendjen në të cilën ndodhet lapidari, nuk janë të informuar as zyrtarë të Komunës së Gjakovës.

“Ne si komunë nuk kemi qenë të informuar për gjendjen e lapidarit në fshatin Iliron, ish – Dobërdelan dhe këtë informatë e kemi marrë prej jush. Menjëherë pas kësaj, përmes nënkryetarit të Komunës së Gjakovës z. Ramadan Hoti i kemi kontaktuar përfaqësuesit e OVL të UÇK-së në Zonën e Pashtrikut, por edhe zyrtarët e Komunës së Suharekës, pasi ky lapidar ndodhet në territorin e kësaj komune”, tregoi për KALLXO.com Astrit Haraqija, zyrtari për Informim në Komunën e Gjakovës.

Haraqija tha se nga shoqatat e dala prej luftës së UÇK-së kanë mësuar se lapidari nuk është dëmtuar nga dora e njeriut.

“Nga ta kemi mësuar se lapidari në fjalë është dëmtuar jo nga dora e njeriut por nga cilësia e dobët e punimeve e pasuar nga shirat dhe ngricat”, tha Haraqija.

Ai deklaroi se pasi lapidari nuk ndodhet në territorin e Komunës së Gjakovës, nuk mund të ndërhyjnë për ta rregulluar atë, por mund t’i ndihnojnë Komunës së Suharekës në këtë drejtim.

“Ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në rregullimin e tij, por gjithsesi ne kemi kërkuar nga Komuna e Suharekes që me mundësitë dhe kapacitetet e veta të ndërhyjë dhe ta rregullojë këtë lapidar. Ne kemi ofruar edhe ndihmë eventuale, vetëm e vetëm që ky lapidar të rregullohet dhe ta rimarre formën siç e meriton lapidari dhe si e meritojnë dy deshmorët e nderuar”, tha Haraqija për KALLXO.com.

Kryetari i Rahovecit Idriz Vehapi nuk kishte informacione se kush ka mundur ta dëmtojë lapidarin.

“Nuk kemi informacione. E shifni se lapidari është në zonë të thellë zonë malore. Sigurisht [është dëmtuar nga] persona të pandergjegjshëm që nuk i dinë vlerat e luftës dhe të lirisë që e kemi fitu nga gjaku i derdhur i këtyre dëshmorëve”, tha Vehapi.

Ai propozoi që lapidari të afrohet më afër fshatit Dobërdelan të Suharekës në mënyrë që mirëmbajtja e  tij të jetë mëë e lehtë.

“Me vullnetin e banorëve të fshatit Dobërdelan do të ishte mirë që të kemi një monument afër fshatit. Ndërkaq këtu të vendosim një monument tjetër që të jetë më rezistent ndaj kushteve dhe kohës”, tha kryetari Vehapi, duke premtuar rregullim të lapdarit sa më shpejt që të jetë e mundur.

Por familjet e dy dëshmorëve nuk e dëshirojnë zhvendosjen e lapidarit.

“Nuk po më doket fort e arsyeshme. Kisha me lon aty ku ka ndodhë ngjarja”, tha për KALLXO.com bashkëshortja e dëshmorit Shefki Thaçi.

Edhe Fetije Gashi, nëna e dëshmorit Enver Duraku nuk dëshiron që lapidari të largohet nga malet ku luftoi dhe u vra i biri.

“Si nënë e dëshmorit lapidari dëshiroj të jetë aty ku është, sepse aty luftoi dhe i mori plagët e vdekjes”, tha Gashi.

Ajo kërkoi edhe rregullimin e rrugës deri te lapidari.

“Për mua si nënë është shumë i shenjtë ai vend, por nuk kam mundësi që të shkoj ta vizitoj për shkak se rruga është shumë e keqe dhe nuk muj me u ngjit (malit). I lus komunat që të merren me këtë çështje sepse ata (dëshmorët) dhanë shumë, e ne kurgjo s’bomë për ta”, tha Gashi.

Shefki Thaçi e Enver Duraku u vranë në malet e Dobërdelanit më 28 mars 1999. Thaçi la ps vetes gruan dhe tre fëmijë, ndërsa Duraku ishte student i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Në prill të këtij viti KALLXO.com shkroi për djegien e kurorave me lule te kompleksi i varrezave të dëshmorëve në Gjilan.

http://kallxo.com/digjen-kurorat-e-luleve-ne-varrezat-e-deshmoreve-ne-gjilan/

Vitin e kaluar kishte ankesa që këto varreza nuk po mirëmbahen.

http://kallxo.com/ankesa-per-mosmirembajtje-te-varrezave-ne-gjilan/

Në qershor të vitit të kaluar KALLXO.com shkroi për dëmtimet dhe mosmirëmbajtjen e lapidarëve dhe varrezave të dëshmorëve në shumë pjesë të Kosovës.

http://kallxo.com/lavdia-e-perbuzur/