Komunat Mbledhin Pak e Shpenzojnë Shumë

Këtë inkasim të mjeteve komunale e bëri të ditur Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Raportin Vjetor të Monitorimit të Komunave për Vitin 2015.

Në vitin 2015 komunat kishin planifikuar të hyra vetanake në vlerë prej 74.24 milionë eurosh, ose 5.95 milionë euro më shumë se në 2014-ën kur planifikimi ishte 68.29 milionë euro.

Por ato mundën të mbledhin vitin e kaluar vetëm 58.36 milionë euro, ose 79 për qind nga niveli i planifikimit vjetor.

Në vitin 2015 janë mbledhur 2.57 milionë euro ose 4.2 për qind të hyra vetanake më pak se në vitin 2014, ku të hyrat komunale ishin 60.93 milionë euro.

Më së shumti të hyra komunale u mblodhën nga tatimi në pronë-19.91 milionë euro, mirëpo nga ky tatim në vitin 2014 u mblodhën më shumë mjete-20.41 milionë euro.

Vjet të hyrat për leje ndërtimore u rritën në raport me 2014-ën. Gjatë vitit 2015 janë inkasuar mjete në vlerë prej 12.02 milionë euro që është 7.9 për qind më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit 2014, kur nga lejet për ndërtim u mblodhën 11.14 milionë euro.

Vetëm gjashtë komuna arritën ta tejkalojnë planin e realizimit të të hyrave vetanake. Komuna e Obiliqit me 129 për qind, ajo e Ranillugut me 122 për qind, Graçanica me 113 për qind, Fushë-Kosova me 112 për qind, Lipjani me 110 për qind dhe Kllokoti me 106 për qind.

Peja realizoi të hyrat komunale qind për qind, Deçani 99 për qind, Skenderaj dhe Gjilani 94 për qind, Istogu, Klina dhe Novobërda 93 për qind, Rahoveci 92 për qind, Parteshi 89 për qind, Hani i Elezit 88 për qind, Suhareka 87 për qind, Gjakova dhe Juniku 86 për qind, Shtimja 85 për qind, Ferizaj dhe Vushtrria  84 për qind, Mamusha 82 për qind, Kaçaniku dhe Malisheva 80 për qind.

Vitia mblodhi të hyra në masën 78 për qind, e ndjekur nga Kamenica me 77 për qind, Drenasi dhe Podujeva me 75 për qind, Dragashi dhe Mitrovica me 72 për qind, Shtërpca me 69 për qind, Prishtina me 67 për qind dhe Prizreni me 64 për qind.

Më së paku të hyra vetanake nën 50 për qind mblodhën komunat veriore të vendit.

Komunat përveç nga të hyrat vetanake, financohen edhe nga grantet qeveritare.

Parashikimet shumë të ulëta të të hyrave vetanake të komunave në Kosovë ndikohen edhe nga financimi i sigurt nga qeveria.

Ndërsa, të hyrat vetanake të komunave në Kosovë janë në nivel shumë më të ulët sesa vëllimi i financimit nga buxheti qendror, rezulton edhe një mungesë vullneti i pushtetit lokal për të mbledhur të ardhurat që u takojnë me ligj.

Varësia Pa Krye e Komunave nga Buxheti Qendror

Shpenzimet e buxheteve komunale

Bazuar në të dhënat zyrtare nga Sistemi Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës, komunat për vitin 2015 shpenzuar 90 për qind të buxhetit në vlerë prej 456.58 milionë euro.

Buxheti i komunave për vitin 2015 ka qenë më i madh për 10.63 milionë euro në krahasim me buxhetin e vitit 2014 që ishte prej 445.95 milionë euro.

Për kategorinë e rrogave dhe pagave vjet kishte buxhet prej 242.90 milionë eurosh, ndërsa për këtë qëllim u shpenzuan 242.20 milionë euro, apo 99.90 për qind.

Buxheti për këtë vit në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve ishte në vlerë prej 41.22 milionë euro, ndërsa është shpenzuar në vlerë prej 37.54 milionë euro, ose 91 për qind nga shuma e buxhetuar.

Për shpenzimet komunale për vitin 2015 ishin të planifikuara 10.31 milionë euro, kurse janë shpenzuar 9.51 milionë euro ose 92 për qind të mjeteve të parapara.

Kurse në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve të buxhetuara për vitin 2015 ishin 11.81 milionë euro, mirëpo janë shpenzuar vetëm 9.37 milionë euro ose 79 për qind të tyre.

Edhe për projekte kapitale u shpenzuan vetëm 76 për qind të mjeteve. Ishin planifikuar 150.34 milionë euro, ndërsa u shpenzuan 114.23 milionë.

Nga kategoritë e përmendura më së shumti-100 për qind u shpenzua buxheti për rroga dhe paga, ndërsa më së paku u shpenzuan para për investime kapitale vetëm 76 për qind të buxhetit.

Për shpenzime komunale në 26 komuna janë harxhuar mjete në nivelin 90 – 100 për qind, ndërsa në 8 komuna është shpenzuar në nivelin 70 – 89 për qind. Në komunën e Kllokotit nga kjo kategori janë shpenzuar 57 për qind nga projektimet, në Zveçan 38 për qind dhe në Mitrovicën Veriore 15 për qind.

Më së paku ka harxhuar për shpenzime komunale Komuna e Zubin-Potokut vetëm 1 për qind.

Kategoria e subvencioneve dhe transfereve në 25 komuna është shpenzuar në nivelin 90 – 100 për qind krahasuar me buxhetimin, në 6 komuna është shpenzuar në nivelin 76 – 89 për qind, kurse në 4 komuna në nivelin 58 – 68 për qind. Në Komunën e Kllokotit nga kjo kategori janë shpenzuar 27 për qind e buxhetimit, ndërsa në komunën e Zveçanit shpenzimet për këtë kategori kanë qenë zero.

Kategoria e shpenzimeve kapitale krahasuar me planifikimin në 8 komuna është shpenzuar 90 – 98 për qind, në 17 komuna është shpenzuar 81 – 88 për qind, në 9 komuna është shpenzuar 54 – 78 për qind dhe në 4 komuna është shpenzuar nën 50 për qind të nivelit vjetor të buxhetuar.

Gjithsej 33 komuna kanë arritur të shpenzojnë në total buxhetin në nivelin më të lartë prej 87 – 98 për qind të nivelit vjetor të buxhetuar. Mirëpo, komuna e Leposaviqit, ajo e Prishtinës, Zveçanit, Mitrovicës Veriore dhe e Zubin Potokut janë komunat që nuk kanë arritur këtë nivel.