Komuna e Vitisë Nderon Dëshmorët

Për nder të Ditës së Dëshmorëve të kombit, Komuna e Vitisë ka mbajtur disa aktivitete.

Në Kuvendin Komunal është mbajtur një seancë solemne, më pas janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora lulesh në varrezat e dëshmorëve në Viti.

Ndërkaq, nxënësit e shkollës fillore “Dëshmorët e Vitisë” kishin përgatitur edhe një ekspozitë me motive nga veprimtaria e dëshmorëve nga trevat e kësaj komune.

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Sokol Haliti, u mbajt edhe një akademi përkujtimore, ku u fol për veprën e dëshmorëve për lirinë e këtij vendi. Në një fjalë rasti, Haliti  ndër të tjera tha se të gjithë duhet të ndihen krenar me veprën e dëshmorëve.

“Dita e dëshmorëve të kombit nga Komuna e Vitisë na rikthen në altarin e lirisë kombëtare, për të përkujtuar se çfarë çmimi të lartë ka liria. Na bën që të ndihemi krenar me të kaluarën e lavdishme, për t’i nderuar dhe përkulur me nderim para veprës së tyre që zgjodhën flijimin në emër të idealit të lartë të lirisë. Ata zgjodhën të flijoheshin për liri ngase kjo është vlera e lirisë kombëtare”, u shpreh kryetari.

Përndryshe aktivitete për nder të Ditës së Dëshmorëve do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme. Në Kinemanë e Qytetit nga ora 15:00 do të shfaqet filmi “Heroi”, kurse nga ora 16:00 në Galerinë e Artëve në Viti do të mbahet edhe ekspozita ndërkombëtare “Hello Europe”.