Kontrata për renovimin e stadiumit | Foto: KALLXO.com

Komuna e Qeveria Bashkë për Renovimin e Stadiumit

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës Eroll Salihu tha që renovimi i stadiumit po bëhet në kohën e duhur.

“Kjo iniciativë po bëhet në kohën e duhur kur po shihet që Federata e Futbollit të Kosovës dhe klubet e saj duhet të kenë të plotësuara disa kritere për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare,” tha ai.

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala tha që renovim i stadiumit është investimi më i madh i qeverisë në fushën e sportit në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

“Mendoj që ky është shembull i mirë i punës së përbashkët për interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Ky projekt është në vlerë prej 3 milion e 800 mijë euro dhe do të finalizohet për 14 muaj punë,” tha ai.

Ministri deklaroi se stadiumi i qytetit do të jetë shtëpi edhe e klubeve të qyteteve tjera deri sa të arrihet të përmirësohet infrastruktura e sportit edhe nëpër këto qytete.

Klubet kosovare “Ferronikeli” dhe “Prishtina” nuk u lejuan nga UEFA të marrin pjesë në garat evropiane të sezonit 2016/2017 për mungesë kushtesh në stadiumet e tyre, edhe pse e fituan atë të drejtë pas pranimit të Kosovës në organizatat evropiane e botërore të futbollit.

Drejtori i Drejtorisë së  Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës Hysen Durmishi tha se nënshkrimi i kontratës për renovim të stadiumit shënon një hap të rëndësishëm për futbollin kosovar.

“Do të kujdesemi maksimalisht ta garantojmë cilësinë e këtij investimi përmes mbikëqyrjes së përbashkët që do ta bëjmë,” tha Durmishi.

Kryetari i klubit “Prishtina” Remzi Ejupi tha se renovimi i stadiumit është një motiv shtesë për rininë kosovare.

“Kjo është një punë shumë e madhe për sportin dhe rininë kosovare ku po fillon një epokë e re. Ky është një motiv shtesë për arsye se ky stadium nuk do të jetë vetëm i Prishtinës, por i gjithë Kosovës,” tha ai.

Ndërkaq Bajram Gashani, përfaqësuesi i kompanisë “Al Trade” e cila ka fituar tenderin për rindërtimin e stadiumit të Prishtinës tha se do të mundohen që punimet të përfundojnë brenda afatit të caktuar.

“Zotohem që do të shkojmë sipas kontratës për të gjitha që janë paraparë dhe zotohem për cilësinë e cila do të jetë e nivelit më të lartë të mundshëm,” tha ai.

Renovimi planifikohet të përfundojë për 14 muaj.

Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA gjatë muajit maj

http://kallxo.com/kosova-pranohet-ne-uefa/

http://kallxo.com/kosova-pranohet-ne-fifa/

Në vitin 2014 Qeveria e Kosovës mori vendim që të shpallë konkurs ndërkombëtar për ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

Por 26 muaj pas këtij vendimi, procedurat për stadiumin e ri nuk kanë nisur.

http://kallxo.com/vendimi-qe-26-muaj-procedurat-per-stadiumin-askund/