Shpend Ahmeti. Foto: Kallxo.com

Komuna e Prishtinës Shpenzoi Mbi 28 Mijë Euro për Dreka

Komuna e Prishtinës i ka shpenzuar rreth 28 mijë euro për dreka. Për periudhën 12 mujore, sipas raportit financiar të vitit 2017 të Komunës së Prishtinës, administrata komunale e Prishtinës ka shpenzuar në total 28,137 euro për dreka zyrtare brenda dhe jashtë vendit.

Komuna e Prishtinës me buxhetin e vitit të kaluara kishte paraparë 25 mijë euro për dreka zyrtare brenda vendit dhe nga këto janë shpenzuar në shumën prej 23 mijë e 196 euro.

Ndërsa vetëm Drejtoria e Shëndetësisë ka shpenzuar 8 mijë euro (aq sa kishte planifikuar) për dreka zyrtare, siç përshkruhet në raport të bëra në ‘Ditën e Shëndetësisë’.

Për dreka zyrtare jashtë vendit, ishin planifikuar 5 mijë euro, ndërsa u shpenzuan 4 mijë e 941 euro.

Në anën tjetër, komuna e udhëhequr nga Shpend Ahmeti, i cili ka filluar mandatin e dytë nuk është treguar kursimtare në shpenzimet për telefoni mobile.

Nga 60 mijë euro të parapara për shpenzime të telefonisë në Kryeqytet, janë shpenzuar po aq e telefonat fiks komunës i kushtuat 42 mijë e 999 euro nga 43 mijë euro të planifikuara.

Ndërkaq nga 40 mijë euro të planifikuara për shpenzime të internetit, janë shfrytëzuar 38 mijë e 833 euro.

Në raportin financiar në mënyrë të veçantë përshkruhen edhe shpenzimet e bëra nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Drejtorisë së Arsimit.

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka shpenzuar 17 mijë e 125 euro në telefon nga 23 mijë euro të planifikuara.

Ndërkaq Drejtoria e Arsimit ka tejkaluar buxhetin e planifikuar për telefon duke shpenzuar 24 mijë e 999 euro nga 21 mijë sa i kishte të planifikuara.