Foto: Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës Rrënon Çerdhen për ta Ndërtuar të Renë

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se është marrë vendimi për largimin e fëmijëve dhe stafit të çerdhes “Yllkat” nga objekti për shkak të gjendjes së rëndë të objektit.

Me kërkesë të Drejtorisë Komunale të Arsimit, Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave ka caktuar një komision të përbërë nga 3 inxhinierë të ndërtimtarisë, për ta vizituar çerdhen “Yllkat” në lagjen Vellusha, për shkak sa janë vërejtur disa plasaritje në objekt. Objekti i kësaj çerdheje është ndërtuar në vitin 1984, dhe ka kapacitet për 220 fëmijë.

Në njoftimin e komunës thuhet se inxhinierët kanë vërejtur se objekti është shumë i dëmtuar dhe paraqet rrezik për fëmijët.

“Në disa pjesë të themeleve, janë vërejtur plasaritje të theksuara, kurse brenda objektit plasaritjet janë edhe më të thella dhe janë horizontale, gjë që dëshmon se themelet e objektit “”kanë fjetur”. Në njërën prej dhomave të fëmijëve ka lëvizur pllaka e dyshemesë”, thuhet në njoftim.

Komisioni ka propozuar që urgjentisht të merren masat si preventivë – largimi i fëmijëve dhe personelit me qëllim të evitimit të pasojave eventuale.

Bazuar në këtë vlerësim të komisionit, Komuna e Prishtinës ka vendosur që t’i largojë fëmijët dhe stafin nga ajo çerdhe, dhe t’i zhvendosë përkohësisht në çerdhe të tjera, në konsultim edhe me prindërit dhe grupet e interesit.

Komuna e Prishtinës në njoftimin e saj ka bërë të ditur se objekti i çerdhes “Yllkat” do të rrënohet, dhe do të ndërtohet një çerdhe e re në këtë lagje.