Konferenca për ndarjen e banesave sociale | Foto: Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës Ndan 50 Banesa Sociale

Kryetari I Prishtinës Shpend Ahmeti sot në një konferencë për gazetarë tregoi numrin e përfituesve dhe  procesin e ndarjes së  banesave sociale në Hajvali.

“Komuna e Prishtinës ka përfunduar ndërtimin e 100 banesave të cilat janë të ndara 50 për përfitues të banimit social apo për shkak të gjendjes sociale dhe mungesës së strehimit që kanë. 50 të tjera do të ndahen për kategoritë e dala nga lufta.

Ahmeti në konferencë paraqiti edhe të ardhurat mujore të përfituesve të banesave sociale.

“Janë 43 familje me asistencë sociale me të ardhura mujore prej 150 euro dhe 7 familje me të ardhura 150-250 mujore”, shpjegoi Ahmeti.

Ai bëri të ditur se përfituese janë edhe 14 familje të nënave vetushqyese, familje që e kanë vetëm një prind-nënën.

Nga 331 familje që kishin aplikuar për strehim social, 287 i kanë plotësuar kushtet e kërkuara për këtë banim, por përveç 50 familjeve përfituese të strehës sociale, familjet tjera do të mbesin pa u strehuar për një kohë.

Sipas Shpend Ahmetit, kontratat e banimit social janë 3 vjeçare, ndërsa banesat e ndara jepen në shfrytëzim, por nuk janë në pronësi të përhershme.

Ndërsa Naser Cakolli, kryetari i komisionit që përcaktoi përfituesit e banesave tha se gjatë punës tremujore të komisionit janë bërë përpjekje për transparencën e verifikimeve të gjendjeve sociale në familjet përfituese.

Afati për ankesa ndaj ndarjes së banesave sociale do të jetë 10 ditë, ndërsa ankesat do të shqyrtohen për një muaj.

Komuna e Prishtinës gjatë ditës ka publikuar listën e familjeve përfituese të banesave sociale.

KALLXO.com kishte shkruar edhe më herët për verifikimin e gjendjes sociale të familjeve që kishin përfituar nga këto banesa.

http://kallxo.com/ne-330-familje-nisin-vizitat-per-banesa-sociale/