Komuna e Pejës më Pak Buxhet për Bujqësi

Gjatë debatit në asamble për kornizën afatmesme buxhetore të Komunës së Pejës, këshilltarët komunalë nga opozita kritikuan ekzekutivin për zvogëlimin e mjeteve buxhetore të sektorit të  bujqësisë.

Këshilltari komunal nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Nikçi, tha se korniza afatmesme buxhetore nuk garanton mirëqenie.

“Bujqësia pylltaria dhe zhvillimi rural, realisht është paraparë tkurrje ose zvogëlim i mjeteve. Nga 1.2 milion në vitin 2016, 900 mijë në 2017,vazhdon tkurrja ose zvogëlimi në 550 mijë për vitin 2018. Zhvillimi ekonomik(drejtoria) po ashtu në zvogëlim”, tha asamblisti i AAK-së.

Edhe Avdi Shkreli asamblist i LVV-së tha se me zvogëlimin e mjeteve nuk ka zhvillim të bujqësisë.

“Me këtë zvogëlim prej 550 mijë e 960 eurove nuk konsiderojmë se bujqësia mundet me u përparu, apo mu ndryshu gjendja e saj. Dihet mirëfilli se në këtë sektor po të jenë trefish këto mjete të planifikuara në këtë kornizë, përsëri nuk do jenë të bollshme”, tha ai.

Kandidati i pavarur, Arzen Bytyqi tha se kujdes me të madh duhet pasur në fazën e dytë të kornizës buxhetore.

“Kujdesin ma të madh ish dashtë me pasë te specifikimi i projekteve, do të thotë për fazën e dytë, s’po flas për këtë fazë. Edhe tek dinamika e kryerjes së punëve të projekteve”, tha Bytyçi.

Kurse, drejtori i Financave në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj, tha se në shumicën e debateve publike të organizuara rreth ndarjes buxhetore shumica e asamblistëve nuk marrin pjesë.

Abazaj deklaroi se buxheti komunal i Pejës nga 22 milionë është rritur në 24 milionë euro.

“Pjesa tjetër është e fokusuar në investimet kapitale edhe si shkak i kësaj vjen që investimet vitin e ardhshëm të shkojnë 6.4 milionë që është një trend pozitiv”, tha ai.