Tryeza e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane - Foto: Facebook

Komuna e Mitrovicës Përsërit Shpërblimin prej 5,000 Euro për Ata që Dokumentojnë Korrupsionin

Korrupsioni në Kosovë është i pranishëm kryesisht në aktivitete të prokurimit publik, derisa në shumicën e rasteve fituesit e tenderëve përcaktohen paraprakisht, u tha në një punëtori të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, OEA, me bizneset e rajonit të Mitrovicës.

Sipas një komunikate të OEA, në këtë punëtori bizneset kanë kërkuar që të ndryshohen praktikat e tilla kur përcaktohen fituesit e tenderëve, që cenojnë konkurrencën e drejtë dhe të barabartë.

Bizneset po ashtu kanë kërkuar ndërprerjen e përgatitjes së specifikacioneve teknike të tenderëve, duke ia përshtatur specifikat teknike kompanive të caktuara.

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, ka shprehur zotimin e administratës komunale për të luftuar korrupsionin me iniciativë që të shpërblehet çdokush që e raporton një rast të tillë.

“Ftoj të gjitha bizneset që ta raportojnë korrupsionin, si iniciativë konkrete të Komunës së Mitrovicës do të japim shpërblimin me 5,000 euro çdokujt i cili në mënyrë të dokumentuar raporton një rast të korrupsionit”, ka thënë Mujka.

Në fakt, për shpërblimin prej 5,000 euro Mujka vetëm e ka përsëritur premtimin e kryetarit Agim Bahtiri, të dhënë në fillim të mandatit të tij të parë.

Faruk Mujka i bëri këto komente gjatë punëtorisë së organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me bizneset e rajonit të Mitrovicës, administratës komunale dhe përfaqësuesit e Asociacionit të Agjencive për Zhvillim Rajonal, projekt i përkrahur nga UNDP në kuadër të përpjekjeve për luftimin e korrupsionit (SAEK).

Në fund të punëtorisë bizneset kanë kërkuar nga autoritetet përkatëse që raportimet e tyre të trajtoheshin me më shumë seriozitet, ashtu që ata të mos dekurajohen nga raportimi në të ardhmen, si pasojë e mungesës së rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit.