Foto: Komuna e Mitrovicës

Komuna e Mitrovicës Nis Përgatitjet për Testin PISA

Komuna e Mitrovicës ka filluar me intensitet përgatitjet për testin PISA.

Drejtori për Arsim në këtë komunë, Iset Beka ka thënë se janë duke u mbajtur takime të rregullta me koordinatorët e shkollave për përgatitjen e nxënësve për pjesëmarrje në testin PISA.

“Deri tash përgatitjet organizative dhe teknike janë në nivelin e duhur. Përkushtimi i shkollave për të qenë nxënësit sa më të përgatitur është i madh. Vërehet një mobilizim i tyre i shtuar, ndërsa që nxënësit po tregojnë po ashtu interesim të shtuar për të mësuar sa më shumë dhe për të dalë sa më mirë në PISA” tha Beka.

Komuna ka njoftuar se takimet me koordinatorët e shkollave po mbahen nga koordiantori i komunës për testin PISA, Refik Ademi i cili jep sqarime për çështjet që kanë të bënë me tëstin dhe me atë se çfarë janë të interesuar koordinatorët e shkollave.

Ademi ka njoftuar se në testin PISA nga komuna e Mitrovicës do të marrin pjesë katër shkolla të mesme dhe gjashtë shkolla fillore.

“Në testin PISA nga Komuna e Mitrovicës do të marrin pjesë katër shkolla të mesme: Gjimnazi, Ekonomia, Shkolla e Mjekësisë dhe Shkolla Teknike, si dhe gjashtë shkolla fillore , “Bedri Gjinaj”, “Aziz Sylejmani”, “Skenderbeu”, “Harun Beka”, “Musa Hoti” dhe shkolla fillore “Bislim Hajdari” ka thënë Ademi.

Pjesëmarrës në testin PISA nga komuna e Mitrovicës do të jenë gjithsej 260 nxënës, prej të cilëve 126 të shkollave të mesme dhe 134 të shkollave fillore.