Komuna e Gjilanit dhe MPB Bashkë në Luftën Kundër Ekstremizmit

Kreu i komunës, Lutfi Haziri bëri të ditur se qyteti i Gjilanit është pjesë e organizatës që kanë për qëllim të eliminojnë çdo tendencë të ekstremizmit.

“Gjilani është pjesë e Rrjetit Botëror të Qyteteve (Strong Cities Netëork) me seli në Londër, që e definon rolin e komunave në angazhime konkrete që Mekanzimi Referues për parandalim në nivel lokal të eliminoj çdo tendencë të ekstremizmit”, ka thënë kreu i Komunës, Lutfi Haziri thuhet në komunikatën e Komunës së Gjilanit.

Haziri tha se ndihet i nderuar që për këtë marrëveshje është zgjedhur Gjilani, si qytet pa vrasje brenda 3 vite e gjysmë.

“Falë efikasitetit të policisë së shtetit, prokurorisë dhe gjykatës, ne kemi arritur këtë siguri. Tash jemi shumë më komod që të punojmë në preventivë. Gjilani nuk është komunë që ka pjesëmarrje në luftërat e huaja, por ne kemi Mekanizmin Referues me një pjesëmarrje kualitative, i cili mund të ketë ndikim tek grupmoshat e reja. Katër rastet e para janë zgjidhur shumë shpejt me ndërhyrjen e anëtarëve të Mekanizmit, që është trupë jashtëzakonisht efikase dhe ndërsektoriale. Ky Mekanizëm po punon që të parandalohet kjo dukuri globale”, ka shtuar kryetari Haziri.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni tha se komuna e Gjilanit është treguar efikase në raportin e rasteve të radikalizmit.

“Jo rastësisht është përzgjedhur Gjilani për këtë marrëveshje, pasi Mekanzimi Referues ka qenë shumë efikas në identifikimin apo raportimin e rasteve të komunitetit, të cilët kanë marrë rrugën e radikalizmit”, ka thënë ministri Hyseni.

Ndërsa përfaqësuesja e UNDP-së Alessandra Roccaslavo ka lavdëruar Kosovën, duke thënë se asnjë shtet në rajon nuk e ka luftuar këtë dukuri aq sa Kosova, thuhet në komunikatën e Komunës së Gjilanit.