Komuna e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Komuna e Gjakovës Pezullon 4 Zyrtarë të Saj

Komuna e Gjakovës ka pezulluar katër zyrtarë të saj, për të cilët Agjencia Kundër Korrupsion kishte kërkuar inicimin e masave disiplinore pas dyshimeve se kishin favorizuar ndërmarrjen publike “Çabrati” në tenderin për mirëmbajtjen e gjelbërimit të qytetit dhe mbjelljen e fidanëve të drurëve dekorativë.

Agjencia Kundër Korrupsionit në maj të këtij viti kishte kërkuar inicimin e procedurës ndaj Selman Sahitit, Pjetër Frrokajt, Bujar Muhaxhirit dhe Xhelal Halilosmanit.

Zyrtari i Komunës, Arber Gola, tha për KALLXO.com se menjëherë pas pranimit të kërkesës është formuar komision për verifikim e saj.

“Komisioni ka vërtetuar atë që është inicu fillimisht prej Agjencisë Kundër Korrupsion që është bërë një lëshim ndoshta në përzgjedhjen e operatorit ekonomik ku në këtë rast kemi të bëjmë me ndërmarrjen publike “Çabrati” pa i plotësuar disa dokumente që kanë qenë obligative në tenderim”, tha Arber Gola.

Më tej Gola tregoi për masat që janë shqiptuar ndaj këtyre zyrtarëve.

“Në këtë rast kemi të bëjmë me 4 zyrtarë, 3 prej tyre janë me pezullim të përkohshëm për një muaj me 1/3 e pagës ndalesë, gjë e cila është e përcaktuar në rregulloren e komisionit disiplinor dhe një zyrtar tjetër është për dy muaj pezullim me 1/3 e pagës prapë e bazuar në rregulloren e komisionit disiplinorë”, theksoi Arber Gola, i cili është ushtrues detyre i udhëheqësit të Zyrës së Personelit.

Të kontaktuar nga KALLXO.com përmes telefonit zyrtarët e suspenduar nuk kanë pranuar të deklarohen rreth rastit të tyre, përveç Pjetër Frrokajt, i cili tha se ka ushtruar ankesë, por nuk dha më shumë hollësi.